Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryenegociatori i Iranit: Sovraniteti i Libanit “duhet të rivendoset plotësisht”

Kryenegociatori i Iranit: Sovraniteti i Libanit “duhet të rivendoset plotësisht”

Kryetari i Parlamentit të Iranit dhe negociatori kryesor, Mohammad Bagher Qalibaf, ka thënë të hënën se diplomacia është thelbësore për sigurimin e përfitimeve politike dhe ligjore të arritjeve ushtarake, duke theksuar se sovraniteti i Libanit mbi gjithë territorin e tij “duhet të rikthehet plotësisht”, transmeton Anadolu.

Në deklarata të transmetuara nga transmetuesi shtetëror iranian IRIB, Qalibaf ka thënë se shpreson që negociatat në zhvillim të sigurojnë përfundimisht sovranitetin e plotë të Libanit mbi territorin e tij.

“Çdo sukses ushtarak, pavarësisht sa i madh apo vendimtar, e tregon ndikimin e tij të vërtetë vetëm kur regjistrohet dhe konsolidohet ligjërisht dhe politikisht”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se një proces i tillë nuk mund të arrihet pa diplomaci, duke argumentuar se “sakrificat dhe kostot e fushëbetejës” nuk do të çojnë në rezultate përfundimtare pa vazhdimësi politike dhe diplomatike.

“Kur krijohen kushte në fushëbetejë, është diplomacia ajo që duhet të luajë rolin e saj duke e përmbyllur me mjete politike atë që nuk mund të arrihet plotësisht me mjete ushtarake”, ka deklaruar ai.

Qalibaf e ka përshkruar negociatën si “një metodë lufte” dhe “vazhdimësi e të njëjtës përpjekje”, duke thënë se ai e ka mbajtur këtë qëndrim prej vitesh.

Ai gjithashtu e ka kritikuar atë që e ka quajtur përpjekje për të krijuar “dikotomi të rreme” midis veprimit ushtarak dhe diplomacisë, duke thënë se të dyja janë plotësuese dhe jo të kundërta.

Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi Irani dhe SHBA-ja zhvilluan 18 orë negociata në Zvicër nën ndërmjetësimin e Pakistanit dhe Katarit për të diskutuar dispozitat e pazgjidhura të memorandumit të mirëkuptimit të Islamabadit, përfshirë ndalimin e armiqësive në të gjitha frontet, mes tyre edhe Libanin.

Ofensiva ushtarake e Izraelit në Liban ka vrarë më shumë se 4.000 persona, ka plagosur mbi 12.000 të tjerë dhe ka zhvendosur mbi një milion banorë që nga 2 marsi, sipas autoriteteve libaneze.

Izraeli vazhdon të mbajë të pushtuara zona në jug të Libanit, disa prej tyre për dekada dhe të tjera të marra gjatë luftës së viteve 2023–2024.