Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeparlamentari Gashi vazhdon vizitën në SHBA, në fokus “integrimi rajonal dhe partneriteti...

Kryeparlamentari Gashi vazhdon vizitën në SHBA, në fokus “integrimi rajonal dhe partneriteti transatlantik”

Në kornizat e vizitës në Washington, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka marrë pjesë në një panel diskutimi mbi integrimit rajonal ekonomik në Evropën Juglindore, të organizuar nga Këshilli Atlantik, transmeton Anadolu.

Sipas një njoftimi të Kuvendit, në këtë diskutim është theksuar pjekuria dhe roli i Republikës së Maqedonisë së Veriut si faktor stabiliteti në rajon, rëndësia e projekteve infrastrukturore, si dhe nevoja për një integrim dhe bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe avancim drejt Bashkimit Evropian.

“Mirënjohje Këshillit Atlantik për organizimin e kësaj platforme të rëndësishme për dialog”, ka thënë Gashi.

Kryetari Gashi është takuar gjithashtu edhe me Maks Primorac, bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Qendrën për Liri “Margaret Thatcher” të Fondacionit “The Heritage”.

Siç njoftohet, në këtë takim është zhvilluar diskutim i frytshëm dhe kuptimplotë mbi rolin e institucioneve të forta, mbi vlerat e lirisë dhe rëndësinë e partneritetit transatlantik për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Dialogu i hapur dhe konstruktiv me miqtë tanë amerikanë është me rëndësi thelbësore për avancimin e vlerave demokratike dhe përforcimin e stabilitetit rajonal”, ka theksuar Gashi.