Midis viktimave ishte kryetarja e bashkisë Motizhin, Olja Sustlilenko dhe anëtarët e familjes së saj, trupat e të cilëve u gjetën të varrosur në një gropë në pyll me duart e lidhura pas shpine
Të paktën 5 trupa të civilëve të vrarë janë gjetur në fshatin Motizhin në periferi të kryeqytetit ukrainas Kiev, pasi forcat ruse u tërhoqën nga zona, raporton Anadolu Agency (AA).
Midis viktimave ishte kryetarja e bashkisë Motizhin, Olja Sustlilenko dhe anëtarët e familjes së saj, trupat e të cilëve u gjetën të varrosur në një gropë në pyll me duart e lidhura pas shpine.
Forcat ruse akuzohen për vrasjen e civilëve në rajonin e Kievit.
Në një intervistë për AA, këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës, Anton Gerashchenko tha se të gjitha vrasjet janë kryer nga forcat ruse.
Rrethina e Kievit ka qenë nën kontrollin ushtarak rus për javë të tëra dhe kur qyteti Bucha u kthye nën kontrollin e ushtrisë ukrainase më 1 prill, u gjetën eshtrat e qindra civilëve të vrarë ukrainas.
Fotoreporteri i AA-së ka realizuar foto tronditëse që tregojnë një varr të gërmuar në të cilin janë varrosur disa trupa, infrastrukturë të shkatërruar, makina të shtypura nga tanket me njerëz brenda tyre.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy akuzoi Rusinë të dielën se ka kryer “gjenocid” në Ukrainë për të shfarosur “një komb të tërë”, një ditë pas zbulimit të një numri të madh trupash në rrugët e Bucha-s.
Prokurorja e shtetit ukrainas, Irina Venediktova të dielën deklaroi se trupat e 410 civilëve ishin gjetur në zonën e qytetit Bucha, afër Kievit.
Të dielën, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mohoi që trupat e saj të kishin vrarë civilë ndërsa ata tërhiqeshin nga qytetet afër Kievit.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitry Kuleba u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare që të dërgojnë ekspertë në vend sa më shpejt të jetë e mundur për të mbledhur prova të krimeve të luftës të kryera nga trupat ruse.
Lufta ruse kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar ndërsa Bashkimi Evropian, SHBA-ja dhe Britania e Madhe, vendosën sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Të paktën 1.417 civilë janë vrarë në Ukrainë dhe 2.038 janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së, kurse shifra reale dyshohet të jetë shumë më e lartë.
Më shumë se 4.1 milionë ukrainas kanë ikur në vende të tjera dhe miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët. /aa


