Kthimi i shkencës kundër familjes

Arben Labenishti

Familja, nëpërmjet së cilës vjen në jetë fëmija, e ka funksion shtatzëninë (riprodhimin) dhe fryt të natyrshëm ekskluziv, e cila realizohet nëpërmjet çiftit bashkëshortor për ta plotësuar detyrën themelore të saj dhe për të vazhduar më pas me detyrat e tjera në raport me fëmijën në gjirin familjar, si detyrime të nënës dhe babait, të cilat nuk mund të plotësohen pa të dy prindërit.

Arben LABËNISHTI, Strugë

E drejta e fekondimit In Vitro u jepet edhe vajzave të pamartuara. Kjo është përmbajtja e një neni në projektligjin për “Shëndetin riprodhues dhe shtatzëninë e asistuar mjekësore”, i cili në muajin mars të këtij viti, si propozim i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, ishte dorëzuar në procedurë parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Fryma e këtij projektligji i josh femrat e pamartuara për t’u mos u martuar e për të pasur fëmijë, sepse atë ua mundëson shkenca edhe pa bashkëshort a burrë. Kështu, nëpërmjet këtij ligji, tentohet të thellohet edhe më shumë përpjekja për dëmtimin e familjes.

Projektligji në mars nuk e kishte mbështetjen e shumicës së deputetëve, por, në ato ditë, debati që e dëgjuam në parlament dhe jashtë tij, si dhe risjellja në rend dite në fillim të tetorit dhe miratimi i tij në lexim të parë, dëshmoi se kjo frymë, pa dhe me imponim, i ka gjetur mbështetësit e vet në Kosovë dhe pritet të bëhet ligj.

Fekondimi In Vitro dhe infertiliteti bashkëshortor

Shkenca ka arritur ta realizoj fekondimin In Vitro të vezëve të aspiruara nga femra, të cilat nën drejtimin e mikroskopit bashkohen me spermatozoidët e marrë nga mashkulli. Pas konvertimit të tyre në embrione, ato ruhen në laborator dhe pas një kohe të caktuar të jetës së tyre transferohen në mitrën e femrës, ku vazhdon zhvillimi embrional i fetusit deri në ditën e lindjes. Kjo është metoda me e suksesshme e trajtimit te infertilitetit, që u ofron çifteve bashkëshortore me këto probleme mundësi për të pasur fëmijë.

Besoj se infertiliteti bashkëshortor është i vetmi shqetësim ku aplikimi i fekondimit In Vitro është i drejtë dhe mund të quhet arritje shkencore për të mirën e familjes. Personalisht, njoh çifte bashkëshortore të cilat janë lumturuar pas këtij trajtimi që ka rezultuar me sjelljen në jetë të fëmijës(ve) së tyre. Fatkeqësisht, kam njohur edhe bashkëshortë të dëshpëruar, të cilët kanë tentuar më shumë se një herë ta realizojnë qëllimin e tyre nëpërmjet të kësaj metode, por përpjekjet nuk kanë rezultuar të suksesshme. Në mesin e këtyre çifteve ka edhe bashkëshorte që, nga aplikimi i medikamenteve ose procedurave për të arritur mundësinë e suksesit të fekondimit In Vitro, e kanë dëmtuar shëndetin. Kjo, si shqetësim, nuk përbën argument për t’iu kundërvënë kësaj arritje shkencore, por e sjell si një të vërtetë, e cila sigurisht vlerësohet, në veçanti kur insistohet për përsëritjen e trajtimit të infertilitetit nga një çift bashkëshortor.

Aplikimi i fekondimit In Vitro, në çfarëdo situate tjetër, përbën vepër në dëm të familjes dhe të mbarë shoqërisë. T’u lejosh femrave të pamartuara për të pasur fëmijë kështu, siç është përcaktuar në këtë propozimligj, është keqpërdorim i kësaj arritje shkencore. Në këtë kuptim, kundërshtimi nëpërmjet të këtij teksti, s’ka të bëj dhe nuk i referohet zbulimit shkencor, por i adresohet keqpërdorimit të tij.

Keqpërdorim në dëm të familjes

Debati në parlamentin e Kosovës dhe në media për dhënien e mundësisë së femrave të pamartuara për fertilitetin e tyre nëpërmjet të metodës In Vitro mbështetej në një linjë arsyetimi me retorikën “Pse unë duhet të jem e limitume në bazë të asaj që një shoqni mendon se duhet të jetë një normë e caktume. Përderisa unë kam dashtë të bëhem nënë, për mua ka qenë me rëndësi çfarë ka ofruar shkenca me ma mundësu atë të drejtë e jo me ma determinu një burrë, që unë duhet medoemos të kem një burrë me të cilin martohem për t’u bërë nënë” (S.Bogujevci). Kjo apologji, për mendësinë e disa femrave dhe meshkujve, fatkeqësisht gjykohet si veprim i drejtë. Këtu përfundon logjika e tyre. Ata s’e kuptojnë ose me qëllim të paramenduar s’duan për t’u futur në thelbin e çështjes që prek ajo, familjen dhe harmoninë e shoqërisë. Të mos e pranosh ose ta anashkalosh faktin se fekondimi In Vitro i femrave të pamartuara për të sjellë një fëmijë në jetë e dëmton familjen dhe shoqërinë, kjo përbën non sens. Familja, nëpërmjet së cilës vjen në jetë fëmija, e ka funksion shtatzëninë (riprodhimin) dhe fryt të natyrshëm ekskluziv, e cila realizohet nëpërmjet çiftit bashkëshortor për ta plotësuar detyrën themelore të saj dhe për të vazhduar më pas me detyrat e tjera në raport me fëmijën në gjirin familjar, si detyrime të nënës dhe babait, të cilat nuk mund të plotësohen pa të dy prindërit.

Duke iu referuar kësaj të vërtete që e bën familjen unike, dhënia e mundësisë një femre të pamartuar për shtatzëni, nëpërmjet të fekondimit In Vitro, e bën këtë arritje shkencore të keqpërdorur në dëm të familjes. Janë dy karakteristika të saj, të cilat bien në kundërshtim me të drejtën e fëmijës dhe krijimin e familjes, si: sjellja në jetë e një fëmije nga një femër e pamartuar shtatzënë pa bashkëshort, si zgjedhje e saj, që në këtë rast bëhet nënë për të mos u martuar dhe fëmija i privuar nga e drejta për të pasur baba, kjo me dëshirën e saj (nënës).

E drejtë do të ishte stimulimi i femrave të pamartuara për t’u martuar, e jo joshja e tyre për të pasur fëmijë nëpërmjet asaj që e ofron shkenca dhe kështu të joshen, mashtrohen, ta humbin dëshirën dhe interesimin për të krijuar familje. Këto femra, së bashku me ata që e stimulojnë dhe e imponojnë këtë për ta bërë normë ligjore, e injorojnë dhe refuzojnë familjen. Disa nga këto me vetëdije e disa pa vetëdije, po bëhen ose janë bërë dashakeqës të njeriut dhe familjes.

Natyrisht se fëmija duhet të ketë baba, e jo të privohet për të mos e pasur atë, sepse ky qënka vullneti i një femre të pamartuar, së cilës i mundësohet të sjell në jetë fëmijë nëpërmjet fekondimit In Vitro. Është e kuptueshme se ky fëmijë vjen në jetë nga materiali riprodhues edhe i një mashkulli, por ai në cilësinë e babait nuk e njeh atë. Si rrjedhojë, as jeton me atë dhe nuk merr pjesë në asnjë detyrë që i takon si prind. Kjo përbën shkelje të së drejtës së natyrshme dhe më njerëzore të fëmijës. Si rrjedhojë e kësaj, ky fëmijë nga linja e babait, nuk ka as gjysh, gjyshe, xhaxha, hallë dhe kushërinj. Kështu, sillen në jetë jetim të llojit të veçantë, por edhe prishet “armatura” e strukturës fizike dhe ndjesisë emocionale të shoqërisë njerëzore, kjo si rezultat i këputjes së lidhjeve farefisnore.

Një shqetësim tjetër, i cili e ka peshën e çmendurisë, është mundësia e martesës vëlla e motër nga linja e babait të panjohur për fëmijët e ardhur në jetë me këtë metodë. Sa është probabiliteti për këtë dhe a ka një mekanizëm të përcaktuar me ligj për parandalimin e saj, nuk kam informacion, megjithatë kështu si po thellohen djallëzitë për çdo ditë edhe më shumë. Edhe nëse ka sot, mendoj se nuk do të ketë nesër.

Në ditët e sotme, teorikisht, mundësitë e keqpërdorimit të fekondimit In Vitro, i tejkalojnë kornizat e mundësisë reale të përcaktuara në nenin e këtij projektligji, duke shkuar në ekstremin e zhvillimit laboratorik të fetusit deri në lindje. Këto shqetësime, sot për sot, duken qesharake, naive, injorante dhe fantastiko-shkencore. Por, ndoshta, nesër, si rezultat i zbulimeve të tjera nga shkenca në funksion të kësaj, do të tentohet për t’i bërë ato realitet. Sigurisht, kjo duhet vënë në dyshim realizimi, gjithnjë me bindjen se vetë Krijuesi i njeriut nuk do t’ua lejojë atë mendjeve të djallëzuara shkencore.

Ta duash veten, njeriun dhe familjen

Edhe pse, në parim, kalimi i këtij projektligji të lë përshtypjen se ai do të miratohet në procedurat në vazhdim në parlamentin e Kosovës, shpresoj që te deputetët të ndizet një dritë e përgjegjësisë morale për sjellje të dinjitetshme në interes të së vërtetës dhe familjes, për të mos e pasur nesër barrë në ndërgjegjen e tyre votën që e bën normë ligjore këtë nen në dëm të familjes.

Çdo njeri dhe prind i përgjegjshëm e ka për detyrë të kujdeset dhe t’i edukojë fëmijët për t’u martuar, për të krijuar familje, për të qenë bashkëshortë dhe prindër të devotshëm. Duhet të jemi të përgatitur për t’u përballur me trysnitë, të cilat do të jenë edhe më të egra, për t’i pranuar si model jete dhe kulture prurjet e shumta të veseve dhe djallëzive të ditëve të sotme në dëm të njeriut, familjes dhe mbarë shoqërisë. Është e drejta jonë që ato t’i refuzojmë për ta ruajtur moralin dhe kulturën tonë.

Ne kemi ardhur në jetë nga dashuria e një çifti bashkëshortor. Ata janë prindërit tanë – nëna dhe babai. Kështu jemi bërë familje. Aty u edukuam dhe i edukojmë fëmijët tanë. Kemi, gjyshër, gjyshe, xhaxha, halla, dajë, teze dhe kushërinj me farefis. Familja është gurthemeli nga e cila e ka marrë fillin, është ndërtuar dhe ruhet njerëzimi. Vetëm kështu i jepet vlerë, shpirt, harmoni dhe vazhdimësi jete shoqërisë njerëzore. /revistashenja