Ballina Artikuj Kthimi te Zoti si fillim, jo si fund

Kthimi te Zoti si fillim, jo si fund

Dr. Zenel Hajdini

Në diskursin bashkëkohor, sidomos në shoqëritë që përjetojnë kriza identitare, morale dhe shpirtërore, “kthimi te Zoti” shpesh perceptohet si akt i fundit pas dështimit, si një strehë psikologjike për të thyerit, si alternativë kur rrugët e tjera janë konsumuar. Në këtë narrativë, feja shfaqet si fund i ambicies dhe mbyllje e horizontit njerëzor.
Ky perceptim është thellësisht i gabuar, sepse në traditën islame kthimi te Zoti nuk është fundi i një rruge, por fillimi i saj; nuk është epilog i jetës, por prolog i saj; nuk është shenjë dorëzimi, por fillim i vetëdijes; nuk është fund i kërkimit, por orientim i tij drejt burimit të së vërtetës.
1. Kthimi te Zoti: ligj i ekzistences
Kurani nuk e trajton kthimin te Zoti si episod të izoluar në fundin e jetës, por si ligj të përgjithshëm të ekzistencës. Njeriu përshkruhet si qenie që buron nga Zoti dhe kthehet tek Ai. “Dhe tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.” (El-Bekare: 210)
Ajeti i njohur: “Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.” (El-Bekare: 156) nuk është thjesht formulë ngushëlluese për momentet e fatkeqësisë, por përmbledhje e plotë mbi ligjin e ekzistencës.
Njeriu, në këtë kuptim, është qenie në lëvizje të vazhdueshme drejt Zotit, qoftë me vetëdije apo pa të. Jeta vetë është lëvizje drejt Zotit, është në një proces të vazhdueshëm… “O njeri, që përpiqesh pandërprerë drejt Zotit tënd dhe Atë do ta takosh.” (El-Inshikak: 6)
Pra, kthimi nuk lidhet me moshën, rrethanat, dështimet apo fatkeqësitë, por me vetëdijen dhe bindjen ndaj Zotit!
2. Teubeja dhe fillimi i rilindjes shpirtërore
Në diskursin e zakonshëm, teubeja shpesh ngarkohet me ndjenjë faji dhe turpi. Në fakt, teubeja është akt njohjeje… nuk është vetëm pastrim nga e kaluara, por themel për të ardhmen. Ajo është momenti kur njeriu sheh qartë veten, botën dhe Zotin.
Allahu thotë: “Vërtet, Allahu i do ata që pendohen dhe i do ata që pastrohen.” (El-Bekare, 222)
Në këtë ajet, dashuria hyjnore lidhet me një proces aktiv, jo me një gjendje statike. Pendimi është fillimi i një marrëdhënieje të re me Zotin, e ndërtuar mbi vetëdije, përgjegjësi dhe shpresë.
Ibn Kajim -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Pendimi është stacioni i parë i atyre që ecin drejt Zotit, por edhe i mesmi dhe i fundit.” (Ibn Kajimi, Medarixh es-Salikin, vëll1, fq274)
Kjo thënie përmbys idenë se teubeja i përket vetëm fillestarëve. Përkundrazi, ajo është gjendje e përhershme e atyre që janë në rrugën e Zotit.
Në këtë kuptim, kthimi te Zoti është fillimi i njohjes së vërtetë, sepse njeriu nuk mund ta njohë realitetin pa njohur burimin e tij.
3. Kthimi te Zoti dhe ndërtimi i njeriut aktiv
Një keqkuptim i përhapur është se afrimi me Zotin e bën njeriun pasiv dhe të shkëputur nga jeta. Feja Islame e mohon fuqishëm këtë ide. Pejgamberi a.s., ka thënë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët.” (Muslim, 2664)
Forca këtu përfshin forcën shpirtërore, intelektuale dhe shoqërore. Kthimi te Zoti është burim energjie morale, disipline të brendshme dhe përgjegjësie shoqërore.
Hasan El-Basriu shprehet: “Imani nuk është me dëshira, por ajo që vendoset në zemër dhe vërtetohet me vepra.”
Prandaj, ky ekuilibër e vendos kthimin te Zoti në zemër të veprimit njerëzor, jo jashtë tij.
Pra, besimi i vërtetë është ai i cili formon njeriun që ndërton tokën, ndërsa zemra e tij është e lidhur me qiellin.
4. Dimensioni shoqëror i kthimit te Zoti
Shoqëritë nuk ndërtohen vetëm mbi ligje dhe institucione, por mbi ndërgjegje. Kthimi te Zoti krijon individë që veprojnë drejt edhe në mungesë të kontrollit të jashtëm.
Shoqëritë që e ndërtojnë moralin e tyre mbi vetëdijen e përgjegjësisë para Zotit prodhojnë drejtësi, besueshmëri dhe solidaritet.
Kurani e lidh reformën shoqërore me reformën e brendshme: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të mos e ndryshojnë atë që është në vetveten e tyre.” (Er-Ra‘d: 11)
Sejid Kutub e sheh besimin si energji për ndryshim: “Kur besimi vendoset në zemër, ai shndërrohet në forcë shtytëse për ndryshim.” (Fi Dhilalil Kuran, vëll.6, fq. 3967)
Prandaj, kthimi te Zoti, në këtë prizëm, është fillimi i çdo qytetërimi të qëndrueshëm, është fillimi i çdo reforme autentike.
Nga e gjithë kjo vijmë në një konkluzion se kthimi te Zoti nuk është fund i jetës aktive, por fillimi i saj në të vërtetë; jo mbyllje e horizontit, por hapje e tij; jo mohim i botës, por vendosje e saj në vendin e duhur.
Në një epokë konfuzioni moral dhe varfërie shpirtërore, kthimi te Zoti paraqitet jo si nostalgji për të kaluarën, por si domosdoshmëri për të ardhmen. Ai është fillimi i njeriut të vetëdijshëm, i shoqërisë së drejtë dhe i një qytetërimi që e lidh tokën me qiellin.

 

Dr. Zenel Hajdini