Ku nuk ka shtet juridik, qeveri e ligj është EVN-ja!

Jo njëherë derë tani EVN-ja i ka dënuar kolektivisht qytetarët e ndonjë vendbanimi. Pra i ka dënuar edhe ata që e vjedhin rrymën elektrike edhe ata që rregullisht e paguajnë atë .
Dhe jo njëherë këtë e ka bërë atëherë kur është më ftohtë, apo atëherë kur qytetarët kanë pasur ditë ferstive.
Edhe këto ditë EVN-ja i ka dënuar kolektivisht gjithë banorët e Grecit duke i lënë ata pa rrymë elektrike. Edhe atë pa përjashtim, qofshin hajdut që e vjedhin rrymën, apo viktima të cilët i ‘vjedh’ ajo vetë.
EVN-ja e bënë këtë sepse e dinë se qytetarët nuk ka kush i mbron dhe se ata nuk kanë ku ankohen pse në këtë kohë varfërie, tani kur çdo gjë shtrenjtohet, sasi të mëdha të rezervave të tyre ushqimore shkrihen e prishen nëpër frigoriferët e tyre.
Tani shtrohet pyetja e logjikshme: prej nga gjithë kjo forcë e ky guxim i drejtuesve të EVN-së që t’i tallin e dënojnë kolektivisht besimtarët mysliman të Gërçecit në muajin e tyre më të shenjtë – në muajin e Ramazanit?! Edhe atë duke mos bërë dallim mes atyre që agjërojnë e vjedhin rrymë elektrike dhe të tjerëve që e dinë se çka i detyrohen EVN-së e çka Zotit.
Përgjigja është shumë e thjeshtë: EVN-ja e dinë se nuk ka as drejtues komune, as drejtues shteti, as avokat populli…, që ata i mbron nga kjo kompani e cila jo njëherë ka vepruar si të ishte e drejtuar nga një bandë e cila vjen e ta merr hakun me shantazhe.
Shkurt e shqip, jo vetëm tani por shpeshherë është treguar se aty ku nuk ka shtet juridik, aty ku askush nuk i mbron të drejtat elementare të qytetarit që të kenë dritë, EVN-ja është sunduese dhe ligj.
Pra aty ku pushtetarët nuk guxojnë ta çelin gojën kundër kompanive që kanë monopol, aty ku avokati i popullit të ngjan si të ishte avokat i djallit, ka kush e mbron EVN-në nga ata që e vjedhin rrymën elektrike, por nuk ka kush i mbron nga EVN-ja ata që i vjedh dhe dënon kjo kompani.

Nga Kim Mehmeti