Kuba i përgjigjet Trumpit: “Askush nuk na thotë çfarë të bëjmë”

Cuba’s President Miguel Diaz-Canel rebuffed US President Donald Trump’s threat, vowing to defend the country, on January 11, 2026. / Reuters Archive

Presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel, ka hedhur poshtë kërcënimet e presidentit amerikan Donald Trump, duke deklaruar se Kuba është një vend i lirë, i pavarur dhe sovran.

Në një reagim në rrjetet sociale, Díaz-Canel theksoi se askush nuk mund t’i diktojë Kubës çfarë të bëjë dhe se vendi është i gatshëm të mbrojë atdheun e tij deri në sakrificën e fundit, nëse është e nevojshme.

Edhe ministri i Jashtëm kuban, Bruno Rodríguez, reagoi duke thënë se Kuba nuk ka marrë kompensim për shërbime sigurie ndaj asnjë vendi tjetër dhe se ka të drejtë të importojë karburant nga çdo shtet që është i gatshëm ta eksportojë atë. Ai shtoi se SHBA po sillet në mënyrë kriminale, duke rrezikuar paqen globale.

Deklaratat e Trump ndaj Kubës vijnë pas përshkallëzimit të tensioneve në rajon, pas veprimeve amerikane kundër Venezuelës. Trump ka lënë të kuptohet se mund të ndërmarrë veprime edhe ndaj vendeve të tjera, përfshirë Kolumbinë, Meksikën, Iranin dhe Groenlandën.

Ndërkohë, disa ligjvënës republikanë në SHBA kanë përshëndetur retorikën e ashpër të Trump ndaj Kubës, duke deklaruar se ajo mund të çojë drejt fundit të regjimit në Havanë. /mesazhi