Kuqezinjtë sot përballen me përfaqësuesen islandeze

Sot pritet të zhvillohet ndeshja futbollistike midis Kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Islandës në stadiumin e kryeqytetit Reikjavik.

Kjo ndeshje do të fillojë në ora 15:00 ku do të garohet për t’u kualifikuar në Euro 2020, transmeton Klan Kosova.

Kujtojmë se kjo është e treta përballje e kuqezinjve në grupin H të fushatës kualifikuese.

“Shpresoj që në fushë të marrim një rezultat të mirë. Kjo do të na jepte besim dhe do tu tregonte futbollistëve që puna e tyre nuk shkoi dëm. Do të më pëlqente që të hynim në fushë vetëm për të fituar. Kemi një rival që ka organizim të mirë. Sigurdson në veçanti është mirë në anën teknike dhe fizike, por ne do të bëjmë lojën tonë”, ka thënë trajneri Edy Reja.

Ai ka premtuar se në fushë të shtunën ndaj nordikëve do të jenë dy sulmues në formacionin shqiptar të cilin ende nuk e ka vendosur.

Shqipëria dhe Islanda janë në të njëjtën kuotë pikësh, nga tre secila në grupin H të eliminatoreve Euro 2020.