Kurti: Dënim meritor për të dyshuarit që dhunuan 11-vjeçaren

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se duhet angazhim maksimal të institucioneve për t’i vënë para drejtësisë të dyshuarit që dhunuan 11-vjeçaren.

Kurti shkroi në Facebook të hënën se kryerësit e veprës duhet të marrin dënimin meritor, e se aktet e tilla ndaj fëmijëve duhet të trajtohen me seriozitet të lartë.

“Akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional por dhe në atë shoqëror e kulturor. Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale”, shkroi ai.

Kryeministri theksoi se vajza e dhunuar duhet të marrë përkrahje institucionale e përkujdesje maksimale shëndetësore e psikologjike.

“Nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria e t’i rrënohet jeta. As asaj, e asnjë vajze tjetër. Na duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, si dhe çdo njërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën në bazë gjinore. Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç dhe i të gjithëve së bashku”, thuhet tutje në statusin e tij. /koha