Kurti flet për vrasjet e fundit në lokale: S’po vepron drejtësia, persona me vepra penale lëvizin lirshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për rastet e fundit të vrasjeve në vend, duke drejtuar gishtin kah sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Në një adresim para mediave, ai ka thënë se drejtësia vendore vazhdon të jetë jo-efikase, duke pasë parasysh faktin se persona të shumtë me precedent penalë vazhdojnë të sillen lirshëm.

Ai përmend edhe raste ku persona të caktuar nga dënimi i përjetshëm, lirohen tërësisht nga gjykata.

“Në shumë raste, kur ndodhë një krim, po duhet të ngritet shoqëria në mënyrë që të kemi vendim meritor nga Gjykata. Shembull është rasti i fundit me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm të vrasësit të së ndjerës Marigona Osmani, pra Dardan Krivaqa. U dashtë një shoqëri e një popull i tërë ta dënojë publikisht krimin, në mënyrë që Gjykata të mund ta nxjerrë një verdikt meritor”, tha Kurti.