Kurti i kërkon AKP-së t’i pezullojë vendimet për privatizim, shitje e qiradhënie

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit të pezullohet çdo vendimmarrje që ka të bëjë me privatizimin, tjetërsimin apo çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me të ardhmen e ndërmarrjeve shoqërore, siç janë edhe qiradhëniet apo shitjet pa tender publik.

Përmes një emaili dërguar udhëheqësve të Agjencisë, Kurti ka kërkuar që të pezullohet gjithashtu edhe çdo vendimmarrje te ndërmarrjet shoqërore që janë të privatizuara me kushte e që janë nën administrimin e AKP-së.

“Ashtu siç jeni në dijeni, Qeveria e re ka filluar punën këtë javë dhe programin tonë qeverisës do ta hartojmë së shpejti. Në këtë program adresojmë edhe veprimtarinë, kompetencat dhe funksionin e AKP-së. Ju lutem ta keni në konsideratë këtë kërkesë deri në vendimin e ardhshëm të Qeverisë”, thuhet në kërkesën e Kurtit.