Kurti: Lirimi i Milan Radoiçiqit në më pak se 24 orë është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje

Gjatë ditës së sotme Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës.

Në fjalën e tij para anëtarëve të kabinetit qeveritar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se lirimi i Milan Radoiçiqit në më pak se 24 orë është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje.

Ai i ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që ditëve të fundit të jenë të vëmendshëm e të vetëpërmbajtur nga “aktet e dhunës dashakeqe”.

Më tutje Kurti tha se Institucionet e sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë.

“Institucionet e sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim në tavan. Nuk do të zgjedhin mjet. Mbështetja e grupit terrorist që ka marrë nga Serbia në njërën anë duke i trajtuar si heronj, në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë pranë kufirit me Kosovën vetëm sa i inkurajuar ata. Deshën ta ndryshojnë realitetin në terren përmes organizimeve paramilitare, nuk ia arritën. Provuan ta keqpërdorën Manastirin e Banjskës, nuk ia arritën. Tani formacionet kriminale të sponsorizuara nga fqinji ynë verior në skenarin e tyre destabilizues, ka shumë të ngjarë që dallimet etnike t’i keqpërdorin për synime politike. Javën që lamë pas u shënua 23-vjetori i rrëzimit të Millosheviqit, 23 vjet pas asnjëherë më parë nuk i ka ngjarë më së shumti Serbisë së Millosheviqit ky pushtet në Serbi, në botëkuptime, në metoda, në sjellje e në veprime”, ka thënë Kurti.