Ballina Lajmet Kosovë Kurti: Murat Jashari do të ishte zgjidhja e duhur për president

Kurti: Murat Jashari do të ishte zgjidhja e duhur për president

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ka folur për çështjen e Presidentit, duke theksuar se figura e Murat Jasharit do të ishte “zgjidhja e duhur në momentin e duhur”.

Kurti ka theksuar se një figurë e tillë nga familja Jashari do të ishte e pranueshme për të gjithë spektrin politik të vendit.

“Një figurë e tillë, e padiskutueshme për të gjithë, sigurisht do të ishte një kandidat nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë, profesor dhe personalitet si Murat Jashari do të gëzonte mbështetjen e gjithë spektrit politik. Do të ishte nder për Republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin”, ka deklaruar ai.

Kurti ka shtuar se rrethanat gjeopolitike aktuale, përfshirë luftën në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme, dhe kërcënimet nga Serbia, kërkojnë një moment reflektimi dhe një figurë që mund të përballet me sfidat e vendit.

“Rrethanat gjeopolitike, nga lufta në Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Mesme, si dhe duke parë sulmet e njëpasnjëshme nga Serbia, përfshirë agresion terrorist një Banjskë, sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc dhe kërcënimet e përditshme nga fqinji ynë verior, kërkojnë një moment reflektimi dhe një figurë që i bën ballë shtrëngatave me të cilat mund të përballet vendi ynë. Në kohë të vështira kem igjetur mbështetje e frymëzim të familja Jashari ashtu siç kemi gjetur te kryekomandanti Adem Jashari, prandaj edhe sot zgjedhja e profesori Murat Jashari do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur”, ka shtuar ai.

Kurti gjithashtu ka nënvizuar rëndësinë e një procesi institucional dhe të përgjegjshëm në përzgjedhjen e Presidentit.

Ai ka përmendur angazhimin e filluar nga Qeveria pas formimit të saj, duke pasur parasysh kohën e shkurtër dhe rëndësinë e arritjes së konsensusit politik.

“Pas formimit të qeverisë, kemi filluar angazhimin intensiv për këtë proces, duke pasur parasysh kohën e shkurtër që kemi në dispozicion, por gjithmonë pa harruar faktin thelbësor se për zgjedhjen e Presidentit nevojiten 80 vota në Kuvend. Kam qenë i vetëdijshëm që Lëvizja Vetëvendosje e vetme nuk i ka numrat, nuk i ka 80 vota. Për këtë arsye, menjëherë kam vendosur kontakte me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, me qëllim që të diskutojmë për mënyrat e tejkalimit të kësaj sfide në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme. Takimet kanë qenë konstruktive dhe fillimisht ka qenë një pajtueshmëri se vendi ka nevojë për një figurë unifikuese”, ka thënë Kurti.

Tutje, ai bëri të ditur se në takimin e dytë me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ishte njoftuar se PDK-ja e sheh si mundësi që presidenti i ardhshëm të vijë nga radhët e kësaj partie.

Sipas tij, nëse nuk arrihet të gjendet një figurë unifikuese që siguron mbështetje të gjerë, opsioni tjetër është që çdo subjekt të propozojë kandidatin e tij dhe të konkurrohet në Kuvendin e Kosovës.

“Me gjithë këto pas takimit të dytë me kryetarin e PDK, Bedri Hamza, më është kumtuar nga një qëndrim i kryesisë së tyre, që ata konsiderojnë se presidenti nga java e ardhshme duhet të vijë nga PDK. Nisur nga ky qëndrim unë mendoj Kandidati mund të vijë nga cilido subjekt, por në fund zgjedhjen për president nuk e garanton përkatësia partiake por votat në Kuvend. Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e së paku 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet e mbetura është që çdo subjekt të propozojë kandidatin e vet partiak dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës brenda Kuvendit”, është shprehur Kurti.

Ai ka njoftuar po ashtu se nesër do ta takojë edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për të folur për këtë çështje e për këtë proces.

Kryeministri Kurti ka deklaruar po ashtu se nëse subjektet pajtohen për garë të hapur atëherë edhe Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë kandidatin e vet.

E rëndësishme sipas Kurtit është që vendi të mos i nënshtrohet edhe një procesi zgjedhor.

Ndryshe, Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, vëllait të Adem Jasharit, dhe anëtarë tjerë të familjes, e kanë bërë të qartë më herët gjatë javës se nuk kanë ambicie për pozitën e presidentit, dhe një pozitë të tillë do ta shqyrtonin vetëm një rast të ndonjë gjendjeje të jashtëzakonshme apo lufte civile.

Ndërkohë, presidentja aktuale, Vjosa Osmani ka thënë se e dëshiron edhe një mandat, mirëpo LVV-ja, e cila e pati kandiduar për mandatin e parë, tani nuk e përmend emrin saj.

Edhe partitë opozitare duket se nuk kanë votë për të, meqë me raste e kanë kritikuar për njëanshmëri në të mirë të partisë së Kurtit./