Kurti: Nuk jam në dijeni se BE ka vërejtje për 6 kushtet e mia

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk është në dijeni që BE-ja ka vërejtje për 2 nga 6 kushtet e tij për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kurti tha para gazetarëve të mërkurën se ndoshta duhet të takohet me zëvendësin e tij, Bislimi, për të diskutuar se cilat janë ato vërejtje.

“Unë nuk jam në dijeni për ndonjë vërejtje të tillë, mbase duhet ta takoj zëvendësin tim e ta shoh se çfarë komunikimi ka pas me vendet e BE-së por ato 6 kushte, 6 parime janë të tilla që mundësojnë që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, të mos jetë monoetnik, të kemi reciprocitet të pakicave kombëtare pasi që derisa në Kosovë janë rreth 4 për qind pakica, në Serbi nuk mund ta ketë më shumë se 80 për qind serb. Mandej strukturat ilegale duhet të shuhen e çarmatosen në veri por nuk duhet harruar që është e domosdoshme që presidenti i Serbisë t’i tërheqë ato 5 letra që ia ka dërguar vendeve anëtare të BE-së duke e shkelur edhe marrëveshjen më të dashur të tij të 19 prillit 2013”, tha Kurti.

Ndryshe, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, javën e kaluar kishte thënë se BE-ja i ka vërejtjet e saj në 2 kushte dhe për atë do të duhej të pyetej emisari Lajçak, transmeton teve1.info

“Gjashtë kushtet që ka propozuar Kurti, në fakt janë parakushte që tregojnë se mund të diskutohet për mekanizmin e avancuar të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve. Bashkimi Evropian ka vërejtjet e saj në dy kushte, por se cilat janë ato dhe pse ka vërejtje mund ta pyesni z. Lajçak kur është në Prishtinë”, kishte thënë Bislimi të mërkurën e javës së kaluar.