Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale të Hagës, e cila ka kërkuar dënim prej 45 vitesh burgim për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Kurti e ka quajtur këtë kërkesë të pabazuar dhe e ka kundërshtuar si të pasistematizuar sipas standardeve të pranuara ndërkombëtarisht për dënimet.
Kurti ka thënë se kërkesa për dënim injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe tenton të krijojë një vakum juridik duke shkëputur veprimet nga realiteti historik dhe politik i luftës çlirimtare:
“UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror.”
Kurti ka theksuar se “çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte.”
Ai ka shtuar se Kosova nuk ka pasur kurrë një plan shfarosjeje për popujt tjerë apo për civilët. “Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve,” ka deklaruar Kurti.
Në reagimin e tij, ai theksoi se Republika e Kosovës do të vazhdojë të mbrojë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës për liri, duke kundërshtuar çdo tentativë për të shtrembëruar këtë histori. Ai ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste:
“Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste,” ka përfunduar Kurti.
Ky reagim vjen pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Hagës për një dënim maksimal prej 45 vitesh burgim për ish-krerët e UÇK-së, një kërkesë që është kritikuar ashpër nga shumë figura politike në Kosovë si një tentativë për të shtrembëruar të vërtetën historike të luftës çlirimtare.







