Kurti priti ambasadorin Hovenier, e falënderoi për mbështetje gjatë vitit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur ambasadorin e ShBA-së, Jeff Hovenier, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e shtetit amerikan gjatë gjithë vitit.

Sipas një komunikate për medie të Qeverisë, me Hovenier, Kurti ka diskutuar rreth konvertimit të targave ilegale, rrëmbimin e tre policëve të Kosovës në veri e sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Së bashku diskutuan për marrëdhëniet e forta dypalëshe ndërmjet vendeve tona, bashkëpunimin në shumë fusha, dhe tema e çështje që na presin deri në përfundim të vitit dhe vitin që po vjen. Një prej tyre ishte çështja e procesit të konvertimit të targave, nga i cili deri më tani mbi 4200 qytetarë serbë të Kosovës kanë përfituar prej lehtësimeve financiare të Qeverisë për regjistrimin e veturave me targa RKS. Kryeministri Kurti falënderoi Ambasadorin Hovenier dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme përgjatë gjithë vitit. Vit ky që krahas zhvillimit dhe progresit ishte vit sfidues veçanërisht në aspektin e sigurisë për shkak të sjelljes agresive të Serbisë ndaj Kosovës dhe strukturave kriminale të saj, që u përcoll me tensione, sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, institucioneve vendore e të gazetarëve në katër komuna në veri, rrëmbimin e tre policëve të Kosovës brenda territorit tonë, dhe sulmi terrorist e paramilitar i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri i policor, tani Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku”, thuhet në komunikatë.

Në takim ishte e pranishme edhe Drejtoresha për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në DASh, Collen Hyland.