Kurti: Serbia u zotua t’i japë fund mosmarrëveshjeve me Kosovën, unë nuk do t’i besoja plotësisht

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në raportimin e tij para deputetëve në Kuvendin e Kosovës ka thënë se që nga 9 shtatori kur është prezantuar drafti fillestar i propozimit franko – gjerman, është hyrë në format të ri të dialogut Kosovë – Serbi.

Kryeministri Kurti, tha se aleatët ndërkombëtarë kanë vendosur kornizë strikte ndaj të dyja vendeve në mënyrë që siç tha ai, të arrihet një siguri kolektive dhe paqe në Ballkanin Perëndimor.

“Aleatët tanë kanë vendosur një kornizë me kushte strikte ndaj nesh dhe Serbisë në mënyrë që ti lëmë mbrapa dallimet si prioritet të parë në kontekstin e caktuar, për t’i ndihmuar strategjikisht interesit të tyre për një siguri kolektive dhe paqe në Ballkanin Perëndimor, një gjë të tillë unë nuk kam shumë shpresë”, tha ai.

Tutje Kurti theksoi se pavarësisht se Serbia është zotuar që t’i japë fund mosmarrëveshjeve me Kosovën, ai u shpreh skeptik në këtë pikë.

Madje ai theksoi se nuk do ti besojë plotësisht Serbisë për këtë.

“Procesi i ri ka sjellë një marrëveshjet të re dhe një hapje të re drejt rezultatit përfundimtar. Serbia ka pranuar ta trajtojë Kosovën si anëtare të barabartë të Bashkësisë Ndërkombëtare. Me marrëveshjen Serbia është zotuar gjithashtu që të mos kërcënojë me përdorimin e forcës dhe ti japë fund mosmarrëveshjeve me mjete paqësore. Ajo e ka pranuar atë, meqenëse unë ende nuk do t’i besoja plotësisht Serbisë për këtë”, shtoi Kurti.