Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë, mbrëmë priti në darkë pune Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sørensen.
Siç njofton Kryeministri, në darkë u diskutua për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, përfshirë linjëzimin e plotë të politikës së jashtme me bllokun 27-anëtarësh si përcaktim strategjik, si dhe angazhimin dhe përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e reformave. Në kontekst të integrimit evropian u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Kryeministri Kurti dhe Përfaqësuesi i Posaçëm Sørensen biseduan edhe për aktualitetet politike dhe zhvillimet e brendshme.
E si për çudi në takim nuk ishte i pranishëm Kryenegociatori tanimë i emëruar nga Qeveria si kryenegociator të Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfajn.
“Zulfaj do të koordinojë procesin e integrimit evropian të Kosovës, i mbështetur nga strukturat përkatëse shtetërore”, thuhej asokohe në njoftimin e Kryeministrisë.
Zulfaj ka qenë këshilltar politik i Kurtit prej marsit të vitit 2021, ndërsa me emërimin e ri e zëvendëson kryenegociatorin e deritashëm, Besnik Bislimin.
Kurse i pranishëm mbrëmë në takim ishte edhe ish-negociatori i dialogut Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi.
Bislimi i ka udhëhequr edhe negociatat e Kosovës me Serbinë, të ndërmjetësuara nga blloku evropian në Bruksel. Në shkurt të këtij viti, Qeveria pati bërë të ditur se në këtë proces dialogu, Kosova do të përfaqësohet nga Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës.








