Ballina Lajmet Kosovë Kurti: Ushtria serbe pranë kufirit, provokim dhe shfaqje e pafuqisë

Kurti: Ushtria serbe pranë kufirit, provokim dhe shfaqje e pafuqisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj stërvitjeve të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, duke i cilësuar ato si provokim dhe shfaqje të tensioneve në rajon. Ai tha se institucionet e sigurisë së Kosovës janë të gatshme dhe se kufiri mbetet i mbrojtur në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Kurti gjithashtu foli për zbatimin e ligjeve në veri, duke theksuar integrimin e strukturave të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj stërvitjeve të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, duke i cilësuar ato si provokim dhe përpjekje për të cenuar integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit. Ai theksoi se institucionet e sigurisë janë të gatshme dhe se kufiri i Kosovës është i mbrojtur në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë KFOR-in.

Kurti deklaroi se veprimet e Serbisë tregojnë, sipas tij, edhe “pafuqinë” e saj për të vepruar brenda territorit të Kosovës.

“Ky është një provokim i Serbisë, e cila natyrisht që dëshiron ta cenojë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës sonë”, ka theksuar Kurti.

Sipas vlerësimit të tij, strukturat që kanë vepruar në të kaluarën në mënyrë ilegale brenda Kosovës nuk ekzistojnë më, dhe se për këtë arsye, sipas tij, veprimet po zhvendosen pranë kufirit si demonstrim force.

Kurti përmendi edhe rastin e stërvitjes së disa njësive që, sipas tij, kanë pasur lidhje me individë të akuzuar për sulme ndaj Policisë së Kosovës.

“Bëhet fjalë për njësi të cilat e kanë trajnuar kryekriminelin dhe kryeteroristin Milan Radoiçiq… në bazat e stërvitjes për vrasjen e policit të Kosovës, heroit Afrim Bunjaku”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se Kosova ka adresuar shqetësimet tek partnerët ndërkombëtarë dhe se çështja do të diskutohet edhe në mbledhje të Qeverisë.

“Ne për këtë i kemi shkruar faktorëve ndërkombëtarë… Por forcat tona janë të përgatitura, kufiri ynë është i mbrojtur”, ka deklaruar Kurti.

Ai përmendi se mbrojtja e kufirit realizohet përmes Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe në koordinim me KFOR-in.