Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kush është “Bufi i Kuq” që po terrorizon gjithë Evropën?

Kush është “Bufi i Kuq” që po terrorizon gjithë Evropën?

Një identitet i rremë, mijëra kërcënime dhe një fushatë frikësimi që ka alarmuar institucionet evropiane

Një personazh misterioz që prezantohet si “Mikhail Andropov”, një organizatë e quajtur “Bufi i Kuq” dhe mijëra mesazhe kërcënuese me bomba e vrasje masive.

Pas një vale alarmesh që ka përfshirë shkolla, televizione dhe linja ajrore në disa vende evropiane, autoritetet po përpiqen të zbulojnë nëse kanë të bëjnë me një individ, një grup të organizuar apo një operacion më të gjerë destabilizues.

Për momentin, identiteti i autorit dhe motivet e tij mbeten të panjohura. Emri “Mikhail Andropov” është shfaqur në disa prej kërcënimeve më të bujshme të ditëve të fundit. Por në varësi të objektivit, personazhi misterioz ndryshon edhe identitetin organizativ.

Në Itali paraqitet si drejtues i të ashtuquajturit “Vilajeti i Mizogjinistanit”, ndërsa në mesazhet drejtuar shkollave në Britaninë e Madhe dhe Irlandë prezantohet si kreu i projektit “Bufi i Kuq”.

Sipas Le Monde, vala e fundit e kërcënimeve, më 11 nëntor, përfshiu rreth 6.300 institucione shkollore në Itali, ndërsa qindra të tjera në Skoci, Irlandën e Veriut dhe Republikën e Irlandës morën mesazhe të ngjashme.

Në disa shkolla italiane u ndërprenë mësimet dhe u kryen evakuime, ndërsa policia kontrolloi ndërtesat për të verifikuar pretendimet e dërguesit. Deri tani nuk është gjetur asnjë pajisje shpërthyese.

Mesazhet përmbanin kërcënime për masakra dhe gjenocid. Në versionin e dërguar në shkollat britanike, autori pretendonte se kishte vendosur një bombë me detonator në distancë brenda ndërtesës, ndërsa kërcënonte edhe kryeministrin e vendit.

Në fund të mesazhit paralajmëronte se të mbijetuarit do të sulmoheshin me thika. Megjithatë, hetimet kanë zbuluar një gjurmë interesante. Sipas agjencisë italiane ANSA, email-i që shkaktoi alarmet në shkollat italiane ishte dërguar përmes një llogarie të komprometuar të lidhur me Universitetin Da-Yeh në Tajvan.

Llogaria i përkiste një ish-studenteje, e cila dyshohet se nuk ka asnjë lidhje me kërcënimet. Kjo do të thotë se gjurma elektronike e identifikuar deri tani nuk zbulon domosdoshmërisht autorin, por mund të tregojë se ai ka përdorur identitetin dixhital të një personi tjetër për të fshehur origjinën e mesazheve.

Referencat ruse dhe fantazma e një organizate ekstremiste

Përzgjedhja e emrit Andropov ka ngjallur interes të veçantë. Mbiemri të kujton Yuri Andropovin, ish-udhëheqësin e Bashkimit Sovjetik, ndërsa formulimi “Vilajeti i Mizogjinistanit” duket si një përzierje e terminologjisë së organizatave xhihadiste me një emërtim satirik që lidhet me mizogjininë.

Në mesazhet e mëparshme është përdorur edhe emri “Fighters of Men’s State”, që të kujton lëvizjen ruse ultranacionaliste dhe mizogjiniste “Men’s State”.

Megjithatë, siç raportoi Meduza, themeluesi i kësaj lëvizjeje, Vladislav Pozdnyakov, ka mohuar çdo përfshirje, duke deklaruar se organizata nuk ekziston më që prej vitit 2021. Deri tani nuk ka prova që kërcënimet të jenë organizuar prej saj apo nga ndonjë strukturë ruse.

Nga shkollat te televizionet dhe avionët

Kjo fushatë nuk nisi me shkollat. Më 6 nëntor, televizioni publik irlandez RTÉ, rrjeti bullgar Nova TV dhe britanikja Sky News u përballën me kërcënime të ngjashme. RTÉ evakuoi ndërtesën dhe ndërpreu përkohësisht transmetimet, ndërsa kontrollet policore nuk zbuluan eksplozivë.

Sipas Reuters, mesazhet drejtuar televizioneve mbanin titullin “Mesazh për Perëndimin” dhe pretendonin se incidentet ishin vetëm fillimi i një serie sulmesh kundër transportit dhe institucioneve evropiane.

Paralelisht, kërcënime të rreme me bomba kishin shkaktuar kaos në trafikun ajror. Dhjetëra fluturime u përballën me kontrolle të jashtëzakonshme, devijime dhe ulje emergjente.

Disa avionë u shoqëruan nga avionë luftarakë, por as në këto raste nuk u gjetën pajisje shpërthyese. Associated Press raportoi se autoritetet evropiane po shqyrtojnë mundësinë e një fushate më të gjerë ndërhyrjesh dhe destabilizimi.

Në Skoci, policia ka konfirmuar se rreth 1.000 shkolla morën mesazhe kërcënuese, por i ka cilësuar ato si mashtrime, duke sqaruar se nuk ekziston një rrezik i besueshëm për publikun. Njësitë e krimit kibernetik po bashkëpunojnë me partnerë ndërkombëtarë për të identifikuar autorët.

Mbetet e hapur pyetja nëse pas “Bufit të Kuq” qëndron një individ që kërkon famë përmes panikut, një grup i organizuar apo një operacion me objektiva më të gjera politike. Referencat ruse dhe terminologjia ekstremiste, mund të jenë edhe përpjekje të qëllimshme për të çorientuar hetimet.

Për momentin, “Mikhail Andropov” është vetëm një emër në fund të mijëra email-eve. Por pasojat e kësaj fushate janë reale: shkolla të evakuuara, transmetime të ndërprera, fluturime të devijuara dhe institucione të detyruara të aktivizojnë protokollet e emergjencës.

Pikërisht kjo është edhe fuqia e një sulmi të tillë, të krijojë kaos pa pasur nevojë të shpërthejë asnjë bombë. /tesheshi