Parlamenti i Malit të Zi miratoi rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, raporton Anadolu Agency (AA).
Për miratimin e rezolutës votuan 55 deputetë, 19 ishin kundër dhe 7 abstenuan. Rezoluta u mbështet nga opozita DPS, SDP, SD, LP, BS dhe partitë shqiptare, ndërsa nga partitë shumicës rezolutën e mbështetën Demokratët, URA dhe Branka Boshnjak nga PzP.
Rezoluta, ndër të tjera, nënkupton që parlamenti dënon dhe pranon se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid dhe se më shumë se tetë mijë boshnjakë u vranë.
Teksti i rezolutës parashikoi gjithashtu që 11 korriku do të shpallej Dita e Përkujtimit për viktimat e Srebrenicës, të afirmohet paqja dhe stabiliteti dhe se institucionet publike do të ftohen për të hetuar krimet e luftës.
Ervin Ibrahimoviç, udhëheqësi i Partisë Boshnjake, i cili është një nga propozuesit e rezolutës, falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në përpilimin e një teksti cilësor të rezolutës.
“Besoj se sot kemi dërguar një sinjal të qartë nga kjo Dhomë e Përfaqësuesve, se Mali i Zi është qendra e demokracisë në rajon”, tha Ibrahimoviç. /aa



