Kuvendi sërish në bllokadë, s’ka vota për kryetar të Kuvendit

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka dështuar të emërohet kryetare e Kuvendit të Kosovës, edhe pas përpjekjes së tretë.

Ajo mori 57 vota për, katër më pak se 61 të nevojshme.

Ndërkohë, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën pasi dështoi të votohet Albulena Haxhiu si kryeparlamentare.

Ai tha se seanca do të vazhdojë sërish më 25 prill në ora 10:00.

Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve, këmbëngul në kandidaten e saj Albulena Haxhiu, me gjithë kundërshtimet.

Opozita nuk ka ndërruar mendje.

Për emërimin e kryetarit të Kuvendit nevojiten 61 vota nga 120 deputetët e Kuvendit.

Në rast se Kuvendi konstituohet sot, atëherë do të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.