Ky është plani operativ i policisë për protestën e nesërme të VV-së

Policia e Kosovës, ka lëshuar një njoftim për media, përmes së cilës ka njoftuar se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar nga Vetëvendosje.

Sipas policisë, nesër do të ndërmerren të gjitha veprimet konform Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, duke garantuar rend dhe qetësi publike gjatë protestës.”Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën e paralajmëruar siç parashihet me Ligjin mbi tubimet publike, e cila pritet të mbahet nesër (29.09.2018) në Prishtinë, Policia e Kosovës (PK) me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke hartuar planin operativ për menaxhimin e protestës, i cili ka për qëllim mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas protestës.

Vlen të potencohet se Policia e Kosovës, përmes përfaqësuesve të saj ditë më parë ka realizuar një takim me organizatorët e kësaj proteste, për të diskutuar rreth mbarëvajtjes së qetë të kësaj proteste, e që është qëllim primar i Policisë së Kosovës.PK-ja si institucion i zbatimit të ligjit do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe për krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve, duke përfshirë masat në riorientim të trafikut rrugor.

Policia e Kosovës mbështetur në të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.Policia e Kosovës do të jetë profesionale, në respektimin dhe zbatimin e ligjit, çdo herë duke respektuar të drejtat e qytetarëve si dhe çdo herë duke treguar sjellje profesionale gjatë realizimit të detyrave policore” , thuhet në komunikatën e lëshuar nga Policia e Kosovës.