Njëqind mijë njerëz janë ndihmuar të vetëvriten në Kanada gjatë dhjetë viteve të fundit
Kanadaja është bërë vendi me numrin më të madh të rasteve të eutanazisë dhe vetëvrasjes së asistuar në botë. Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në fund të vitit 2024 janë regjistruar mbi 76 mijë vdekje përmes programit “Medical Assistance in Dying” (MAID), ndërsa bazuar në ritmin e rritjes, parashikohet se numri i përgjithshëm i personave të ndihmuar për t’i dhënë fund jetës ka arritur rreth 100 mijë brenda një dekade.
Vetëm gjatë vitit 2024 u regjistruan 16.499 raste, rreth një mijë më shumë se një vit më parë. Sot, eutanazia përbën një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në Kanada, ndërsa sipas raportit të Health Canada, në vitin 2023 pothuajse një në çdo 20 vdekje në vend lidhej me programin MAID.
Në shkurti e vitit 2015, Gjykata Supreme e Kanadasë vendosi se ndalimi i vdekjes së asistuar ishte antikushtetues, ndërsa në qershor të vitit 2016 ajo u legalizua.
Fillimisht, kjo praktikë u paraqit si një zgjidhje e kufizuar vetëm për pacientët me sëmundje terminale, që përjetonin dhimbje të padurueshme dhe ndodheshin pranë fundit natyror të jetës.
Por në vitin 2021, me miratimin e Projektligjit C-7, kufizimet u zgjeruan ndjeshëm. Nuk ishte më e nevojshme që vdekja natyrore e pacientit të ishte “e parashikueshme në mënyrë të arsyeshme”, duke hapur rrugën që programi të përfshinte edhe persona me sëmundje kronike apo aftësi të kufizuara.
Madje vitet e fundit, është diskutuar edhe përfshirja e personave me çrregullime të rënda mendore, një propozim që ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe në komunitetin mjekësor.
Shumë mjekë, bioeticienë dhe organizata të të drejtave të njeriut argumentojnë se njerëzit që vuajnë nga depresioni apo sëmundje të tjera mendore kanë nevojë për trajtim, mbështetje dhe shpresë, jo për një procedurë që i jep fund jetës.
Kritikët e sistemit kanadez e konsiderojnë zgjerimin e vazhdueshëm të eutanazisë si një shenjë të dështimit të politikave sociale dhe shëndetësore, duke paralajmëruar se shteti po e kthen vdekjen në një zgjidhje më të lehtë sesa investimi në kujdesin afatgjatë dhe shërbimet shëndetësore.
Nga këndvështrimi fetar, si Islami ashtu edhe Krishterimi e konsiderojnë jetën si dhuratë të shenjtë të Zotit dhe ndalojnë marrjen e saj me dorën e njeriut. Në Kuran, Allahu i Madhëruar urdhëron: “Mos e vrisni veten tuaj. Vërtet, Allahu është Mëshirues ndaj jush” (Sure En-Nisa, 4:29).
Ndërsa Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush e vret veten me një mjet, do të dënohet me atë mjet në Zjarrin e Xhehenemit”. (Sahih Buhari dhe Sahih Muslim).
Edhe Bibla e shpall të shenjtë jetën njerëzore. Në Dhjetë Urdhërimet thuhet: “Mos vra!” (Eksodi 20:13). Po ashtu, Apostulli Pal shkruan: “A nuk e dini se jeni tempulli i Perëndisë dhe Fryma e Perëndisë banon në ju? Nëse dikush e shkatërron tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta shkatërrojë atë” (1 Korintasve 3:16-17).
Megjithëse interpretimet teologjike ndryshojnë ndërmjet traditave fetare, si Islami ashtu edhe Krishterimi e konsiderojnë vetëvrasjen një mëkat shumë të rëndë, pasi jeta i përket Zotit dhe vetëm Ai është Zotëruesi i saj.
Për këtë arsye, zgjerimi i vazhdueshëm i eutanazisë në Kanada vazhdon të ngjallë debate të forta jo vetëm në aspektin juridik dhe mjekësor, por edhe në atë moral, etik dhe fetar. \tesheshi







