Ky është zotimi i Arban Abrashit për nënat e reja

Kandidati i LDK-së për udhëheqjen e komunës së Prishtinës, Arban Abrashi, është zotuar ti përkrahë gratë dhe vajzat përmes projekteve biznesore dhe integrimit të tyre, por gjithashtu bëri të ditur për një projekt të ri: Atë të përkrahjes financiare për cdo nënë që do të lindë në Prishtinë.

Gjatë një takimi që ka zhvilluar me drejtoreshën e Rrjetit të Grave të Kosovës, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës është zotuar se Programi i tij parash buxhetimin gjinor dhe përkrahjen financiare të çdo nëne që do të lind në Prishtinë.

“Barazia gjinore është prioritet i yni. Jemi zotuar që gjysma e drejtorive në Prishtinë do të drejtohen nga gratë dhe vajzat. Do të bëjmë buxhetimin gjinor, në mënyrë që gratë të përfitojnë financiarisht për projektet dhe bizneset e tyre. Buxhetimi gjinor parasheh që çdo nënë që lind fëmijë në Prishtinë do të përkrahet financiarisht”, ka thënë Abrashi.

Ai tha se Programi i tij për Prishtinën parasheh fuqizimin e grave në sektorin privat nëpërmes Fondit të Punësimit dhe punësimin në sektorin publik, duke përfshirë administratën, arsimin, shëndetësinë.

Besa Zogaj nga Kryesia e LDK-së, ka thënë se Arbani si ministër i doli në ndihmë duke e përgatitur Ligjin për Buxhetimi Gjinor, ai përkrahi bizneset e grave “start up”, ndërsa ndihmoi financiarisht punësimin e 400 vajzave në sektorin e teknologjisë së informacionit.