Lajçak thotë se pret ide konkrete nga Kosova e Serbia për çështjen e dinarit

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka folur për takimin e javës së kaluar të nivelit teknik mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit.

Ai në një përmbledhje të aktiviteteve javore, ka paralajmëruar një takim tjetër për çështjen e dinarit.

Lajçak ka thënë se pret propozime konkrete nga palët.

“Nga Bosnja u ktheva në Bruksel për vazhdimin e përpjekjeve të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një mes në lidhje me të ashtuquajturën “çështje të dinarit”. Diskutuam një zgjidhje të mundshme të përkohshme për qytetarët e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operimin me para të gatshme dhe besoj se ia dolëm ta ngushtojmë boshllëkun. Në të njëjtën kohë, disa dallime mbeten dhe për këtë arsye do të pres sërish dy kryenegociatorët në Bruksel dhe pres që bisedimet tona të bazohen në ide shumë konkrete, të cilat do të na mundësonin të ecim përpara në interes të popullit”, ka shkruar Lajçak”.

Deri më tash janë zhvilluar tri takime lidhur me zbatimin e rregullores së BQK-së, që ndalon qarkullimin e valutave të huaja në Kosovë, përfshirë edhe dinarin serb.

Këto takime kanë përfunduar pa ndonjë rezultat.