Trajneri i Hoffenheimit, Christian Ilzer konfirmoi në një konferencë për shtyp të enjten se Leon Avdullahu ka pësuar lëndim të muskulit dhe do të jetë jashtë fushave për njëfarë kohe.
Rrjedhimisht Avdullahu do t’i mungoj Kosovën për ndeshjen ndaj Sllovakisë, në kuadër të gjysmëfinales së “play-offit” kualifikues për Kupën e Botës 2026.
Ndeshja Sllovaki – Kosovë luhet më 26 mars në Bratislavë.
“Fatkeqësisht duhet të njoftojmë mungesën e një lojtari kyç. Leon Avdullahu nuk do të jetë i disponueshëm për ne për disa javë,” tha Ilzer.
Me tetë ndeshje të mbetura në Bundesligë këtë sezon, Avdullahu pritet të luajë para përfundimit të sezonit.
“Supozoj se ai do të jetë përsëri i disponueshëm këtë sezon,” tha Ilzer.
Për të mbushur boshllëkun, Albian Hajdari mund të zhvendoset nga qendra e mbrojtjes në pozicionin e Avdullahut.








