Nga trafiku i heroinës te mallkimi i besimtarëve: kur dështimi për të nxjerrë nga burgu klientin kthehet në urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve që i falen Zotit
Përmendja e këtij personazhi në këtë shënim, përbën në parim një përfillje të tepërt që nuk i takon. Por heshtja përballë vrerit të tij do të ishte bashkëfajësi në degradimin e moralit tonë publik dhe në normalizimin e një islamofobie të rrezikshme.
Kujtim Cakrani, i njohur vitet e fundit si avokati i zhurmshëm i disa figurave publike, ku më i njohuri mbetet klienti i tij Ilir Meta, mbart me vete një hije të rënda që as petku i rregullt i avokatit nuk e fsheh dot.
Pas emrit “Kujtim” fshihet “Shpëtimi” i dikurshëm, njeriu që sipas dokumenteve të drejtësisë italiane, u dënua me dy vite burg në operacionin “Medusa” të vitit 2007 për trafik heroine.
Ky individ, me një të kaluar të errët që përfshin edhe dënime në Shqipëri për goditje për shkak të detyrës dhe telashe të vazhdueshme me ligjin, guxoi të derdhë sot në profilin e tij vrerin e tij ndaj dhjetëra mijëra besimtarëve myslimanë që mbushën sheshin “Skënderbej’ dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për namazin e Fiter Bajramit.
Me logjikën e mjerë të një militanti partiak në dëshpërim të thellë, i cili duket se nuk po gjen dot rrugë ligjore për të nxjerrë nga burgu klientin e tij Meta, Cakrani arriti deri në pikën e çmendurisë sa të mallkojë besimtarët dhe familjet e tyre.
Pse? Sepse sipas mendjes së tij të cekët, ata që i falen Zotit, Krijuesit të tyre, po tradhtojnë kauzën e tij politike duke votuar, sipas hamendësimeve të tij, Edi Ramën. Ky avokat, që mburret se është pinjoll i një familjeje të madhe bejlerësh nga Mallakastra, e persekutuar nga regjimi komunist, tenton të përdorë tragjedinë e diktaturës si një mjet shantazhi emocional.
Ai akuzon besimtarët se i kanë harruar krimet e komunizmit, duke bërë një përzierje djallëzore që nuk ka asnjë lidhje me realitetin e sotëm shpirtëror të shqiptarëve. Krimet e diktaturës kundër fesë, janë një njollë e pashlyeshme në historinë tonë.
Por insinuatat e tij janë produkt i një depresioni vetjak dhe kolektiv që ka mbërthyer një pjesë të asaj që quhet opozitë, e cila shpëtimin e vendit e kërkon ende te figurat e konsumuara si Sali Berisha dhe Ilir Meta.
https://www.facebook.com/share/v/189XkpascT/
Është kulmi i hipokrizisë që një njeri që ka ndërruar emrin për t’i shpëtuar ligjit anti-mafia dhe që duhet të ishte nën hetim pasurie nga SPAK, të bëjë rolin e inkuizitorit moral.
Zoti Cakrani, duhet ta dini, dhe nëse jo mësojeni, se besimi fetar i qindra mijëra besimtarëve që u falën dje në Sheshin Skënderbej është një raport i shenjtë me Allahun, i cili qëndron lart mbi gjërat materiale dhe mbi llogaritë e ulëta politike që prodhon mendja juaj.
Besimtarët nuk janë “dekor” dhe as “fake”, siç i cilësoni ju. Përkundrazi ata janë shpirti i vërtetë i këtij kombi, që dinë të ndajnë detyrimin ndaj Zotit nga mllefi i një trafikanti të konvertuar në avokat.
Prandaj, mallkimi juaj nuk bie mbi ta, por kthehet mbrapsht si dëshmi e humbjes së plotë të arsyes dhe dinjitetit njerëzor. Turpi nuk mbulon ata që falen, por ata që përdorin fenë si hanxhar për dështimet e tyre politike apo edhe personale…/tesheshi







