Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Largimi i punëtorëve të huaj nga Greqia thellon krizën në tregun e...

Largimi i punëtorëve të huaj nga Greqia thellon krizën në tregun e punës

Sipas një raporti të Qendrës për Planifikim dhe Kërkime Ekonomike (KEPE), punëtorët e huaj po largohen nga Greqia, një prirje që po e thellon krizën në tregun e punës të vendit, transmeton Anadolu.

Duke cituar raportin e KEPE-së, gazeta Kathimerini tha se forca e punës në Greqi po zvogëlohet jo vetëm për shkak të plakjes demografike, por edhe sepse punëtorët e huaj, të cilët tradicionalisht kanë plotësuar nevoja të rëndësishme të tregut të punës, po largohen nga vendi.

Sipas raportit, numri i vendeve të lira të punës në ekonominë greke tejkaloi 31 mijë në fund të vitit 2025.

Mungesat më të mëdha u regjistruan në sektorin e arsimit, me rreth 6.870 vende të lira pune, pasuar nga shëndetësia dhe kujdesi social, industria përpunuese, si dhe tregtia me shumicë dhe pakicë.

Raporti thekson se situata po përkeqësohet edhe më tej për shkak të disponueshmërisë së kufizuar të fuqisë punëtore në treg.

Gjatë një viti, numri i punëtorëve të huaj ra me 74.400 persona, duke zbritur në vetëm 97.500, ndërsa numri i shtetasve të huaj të punësuar ligjërisht u ul me 53.000 ose 37 për qind, thuhet në raport.