Historia e anijes rrëfehet në 120 minuta, përmes artefakteve autentike
Ka kaluar më shumë se një shekull që nga fundosja e Titanikut në udhëtimin e tij të parë në vitin 1912, por historia e anijes vazhdon të frymëzojë kulturën popullore dhe përpjekje shpesh fatkeqe për ta eksploruar atë nga afër, siç ishte edhe rasti i nëndetëses OceanGate.
Tani kompania spanjolle Madrid Artes Digitales ka sjellë një përvojë të re në Londër me titullin “The Legend of the Titanic”, një udhëtim 120-minutësh që përfshin një realitet virtual.
Pas suksesit në Madrid, ekspozita ka hapur dyert në Dock X të Londrës dhe do të zgjasë deri në nëntor.
Përmes kësaj eksperience, publiku ndjek historinë e një familjeje imagjinare, që nga ndërtimi i anijes në kantierin Harland & Wolff në Belfast, deri te përplasja fatale me ajsbergun në vitin 1912.
“Përvoja e parë është një VR i ulur, një homazh për muzikantët që luanin në bord. Quhet ‘Derisa orkestra heshti’. Për këtë kemi kompozuar një pjesë të re, të regjistruar nga një orkestër 50-anëtarëshe në Budapest”, thotë Jelle De Jong, CEO i Kompanisë së Arteve Digjitale.
Pika më kulmore e ekspozitës mbetet një ecje 10-minutëshe në Metaverse, ku vizitorët, të pajisur me syze VR, nisin nga një nëndetëse, gjejnë mbetjet e Titanikut në fund të oqeanit dhe më pas udhëtojnë pas në kohë për të eksploruar anijen në gjithë madhështinë e saj.
“Momenti më i fortë i kësaj ekspozite është përvoja në Metaverse, një ecje e lirë 10-minutëshe përmes syzeve VR. Fillojmë në një nëndetëse, gjejmë anijen e fundosur dhe kthehemi pas në kohë për të vizituar dhomat e para, dhomën e motorëve, sallën Marconi ku u dërgua sinjali SOS, dhe më pas ndalemi në kuvertën e hapur nën perëndimin e diellit, bashkë me kapitenin Smith”, shton De Jong.
Përveç teknologjisë, vizitorët mund të shohin edhe artefakte autentike nga mbijetuarit e Titanikut: sende personale si porcelan, enë argjendi, veshje dhe mobilje, pjesë e koleksionit privat të koleksionistit nga Barcelona, Juan Cruz Ercoreca.
“E shoh si një tragjedi greke. Objekti më i madh në botë, në udhëtimin e tij të parë. Një pasqyrë e shoqërisë së kohës, dhe pas katër ditësh… në fund të Atlantikut. Është thjesht perfekte.”
Në ekspozitë gjenden edhe skena nga filmi legjendar “Titanic”, duke e bërë këtë udhëtim të veçantë më emocional për adhuruesit e historisë dhe kinemasë.








