Liderët e Kosovës, Shqipërisë, Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut kanë shprehur ngushëllime dhe solidaritet me Spanjën pas aksidentit tragjik hekurudhor pranë Toledos, ku kanë humbur jetën dhjetëra persona dhe janë lënduar shumë të tjerë, transmeton Anadolu.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Shqipërisë, Bajram Betgaj, presidentja e Sllovenisë, Natasa Pirc Musar, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatovic, dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, kanë reaguar përmes statuseve të publikuara në rrjetin social X.
Kurti u shpreh se është thellësisht i pikëlluar nga aksidenti, duke i shprehur ngushëllimet e tij kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, familjeve të viktimave dhe popullit të Spanjës.
Ndërkaq, presidenti Begaj u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor dhe mbarë popullit spanjoll, duke u uruar të lënduarve shërim të shpejtë dhe të plotë. Ai shtoi se Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Spanjën gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Presidentja sllovene, Natasa Pirc Musar, shprehu ngushëllime për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre dhe u uroi të lënduarve shërim të plotë dhe të shpejtë. Ajo theksoi se Sllovenia qëndron pranë Spanjës në këtë kohë pikëllimi.
Edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkovic, shprehu ngushëllime për familjet dhe të afërmit e viktimave, duke u uruar shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve. Ai tha se Kroacia qëndron pranë Spanjës në frymën e miqësisë dhe solidaritetit.
Presidenti malazez, Jakov Milatovic, u shprehu ngushëllime mbretit Felipe VI, kryeministrit Sanchez dhe popullit spanjoll. Ai theksoi se Mali i Zi shpreh solidaritet të sinqertë me Spanjën dhe se mendimet e tij janë me familjet e viktimave dhe të gjithë të prekurit nga tragjedia.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, shprehu ngushëllime për ministrin e Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, popullin e Spanjës dhe veçanërisht familjet që kanë humbur të afërmit e tyre, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
Të paktën 64 persona humbën jetën pasi dy trena të shpejtësisë së lartë u përplasën sot në Spanjën qendrore, njoftuan mediat spanjolle.
Ky është aksidenti më vdekjeprurës hekurudhor në Spanjë që prej daljes nga shinat e trenit në vitin 2013 pranë Santiago de Compostelës, ku humbën jetën 80 persona.

