Liga Profesionale Saudite (SPL) ka shtyrë të martën tri ndeshje të javës së nëntë, përfshirë përballjen e Al Nassr-it të Cristiano Ronaldos kundër Al Ahli-t, mes përshkallëzimit të ndjeshëm të konfliktit me grupin Huthi të Jemenit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, liga tha se ndeshjet janë riplanifikuar për “arsye logjistike, duke marrë parasysh periudhën minimale të detyrueshme të pushimit ndërmjet ndeshjeve”.
Ndeshja mes kryesuesit të ligës, Al Hilal, dhe Al Riyadh, si dhe përballja e Al Ittihad-it kundër Al Shabab-it, do të zhvillohen më 19 dhjetor.
Ndeshja e Al Ahli-t kundër Al Nassr-it të Ronaldos është riplanifikuar për 6 mars 2027.
SPL-ja tha se ndeshjet e tjera të javës së nëntë do të zhvillohen sipas kalendarit të mëparshëm.
Ndeshja e Al Nassr-it kundër skuadrës uzbeke Neftchi Fergana, në kuadër të Ligës së Kampionëve të AFC-së, e planifikuar të zhvillohej në Riad, u vonua për një orë të hënën, pasi koalicioni saudit njoftoi se kishte interceptuar një raketë të lëshuar nga Huthit në drejtim të kryeqytetit saudit.
Shtyrja vjen pas rifillimit të luftimeve mes Arabisë Saudite dhe Huthive, përfshirë sulme ndërkufitare me raketa dhe dronë, si dhe intensifikimin e sulmeve ajrore të koalicionit në zonat e Jemenit nën kontrollin e Huthive.
Jemeni është përfshirë nga konflikti që nga viti 2014, kur Huthit morën kontrollin e kryeqytetit Sana, duke detyruar qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të largohej nga kryeqyteti. Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri ushtarakisht në mbështetje të qeverisë në vitin 2015.


