Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur për lirimin e kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, nga masa e arrestit shtëpiak.
Sipas njoftimit të siguruar nga KOHA, Themelorja ia ka refuzuar kërkesën mbrojtjes për ndërrim të masës që kishte kërkuar që nga arresti shtëpiak, Ademi të paraqitej në stacion policor.
Kreut të FFK-së i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, pasi dyshohet për “keqpërdorim të besimit” dhe “shmangie nga tatimi”.
“Duke ju referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Penal, në çështjen penale kundër të pandehurit A.A, për shkak të veprës penale Keqpërdorim i besimit nga neni 330 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, e lidhur me nenin 77 të KPRK-së dhe veprën penale Shmangie nga tatimi nga neni 307 paragrafi 1 të KPRK-se, ka vendosur sipas kërkesës së mbrojtjes së të pandehurit, për zëvendësimin e masës së Arrestit shtëpiak në masën Paraqitja në stacion policor dhe dorëzani, dhe pas marrjes së përgjigjes nga Prokurori i Shtetit me datën 14.04.2023, mori Aktvendim me të cilin është refuzuar kërkesa e mbrojtjes së të pandehurit për zëvendësimin e masës së Arrestit shtëpiak në masën Paraqitja në stacion policor dhe dorëzani, dhe i ndërpritet masa e Arrestit Shtëpiak. I pandehuri A.A lirohet menjëherë nga kjo masë”, thuhet në njoftim.








