Lirohet imami shqiptar i arrestuar për terrorizëm

Autoritetet Malajziane vendosën të lënë të lirë imamin shqiptar me banim në Malajzi, Klodian Zaimaj, i arrestuar në fillim të tetorit të këtij viti në Kuala- Lumpur.

Lajmi është raportuar nga mediat malajziane të cilat pohojnë se profesori shqiptar, i arrestuar për terrorizëm tashmë është lënë i lirë.

Lirimi i imamit shqiptar me banim në Malajzi është konfirmuar edhe nga burime të Policisë së Shtetit.

Zaimaj u arrestua në fillim të Tetorit bashkë me tetë persona të tjerë, të dyshuar si pjesë e grupit terrorist filipinas “Abu Sayyef”.

Imami shqiptar dyshohej se mund të ishte përfshirë në rekrutimin e personave për të luftuar përkrah organizatës terroriste IS.

Zaimaj ishte regjistruar ndërsa bisedonte në telefon me një prej anëtarëve të grupit filipinas dhe menjëherë pas kësaj telefonate ishte arrestuar.