Lista Serbe e cilëson provokim vizitën e Kurtit në veri

Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në veri, i cili takoi disa policë të Kosovës në Kroin e Vitakut, ka ngjallë reagimin e Listës Serbe.

Përmes një komunikate për media ata kanë thënë se Kurti në veri hyri si hajdut i rrethuar nga dhjetëra persona të armatosur.

Lista Serbe e ka cilësuar si provokim këtë vizitë.

“Kush do të jetë tani pala tjetër përgjegjëse për këtë provokim? Cili ishte qëllimi i vizitës së sotme të Albin Kurtit në një vendbanim të përzier në të cilin për një kohë të gjatë nuk ka pasur incidente mes serbëve dhe shqiptarëve, përveç që Kurti mendon se është i madh dhe i fortë, natyrisht kur është në shoqëri e dhjetëra personave të armatosur që as nuk e dinë arsyen e këtij ekskursioni, që sigurisht është një dëshmi e ideologjisë pushtuese të Kurtit”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën i shoqëruar edhe nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka vizituar policët e Kosovës të cilëve me rastin e festës së Kurban Bajramit të cilët i ka shërbyer edhe me ëmbëlsira.