Lituania do të shtyjë qeverinë bjelloruse, me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së, që të ndalojë balonat kontrabandiste të hyjnë në hapësirën e saj ajrore dhe është e përgatitur të vendosë masa kombëtare nëse këto përpjekje dështojnë, transmeton Anadolu.
Duke folur për radion LRT, kryeministrja e Lituanisë, Inga Ruginiene tha se qeveria po shqyrton opsionet, përfshirë sanksionet kundër Bjellorusisë ose rivendosjen e mbylljes së kufijve, por së pari do të kërkojë një zgjidhje të koordinuar me aleatët.
“Ministria e Jashtme po punon në mënyrë aktive në nivelin e Komisionit Evropian, me mbështetjen e plotë të Komisionit, për një paketë të re sanksionesh”, tha ajo.
“Unë kam folur tashmë me të dërguarin special të SHBA-së për Bjellorusinë dhe do të kem takim personal. Ne do të diskutojmë për veprime të përbashkëta me partnerët tanë strategjikë. Dhe së treti, nëse kjo nuk ndihmon, ne do të shqyrtojmë seriozisht sanksionet kombëtare dhe mbylljen e kufirit”, tha Ruginiene.
Sipas saj, hyrjet e balonave ishin minimale kur Lituania mbylli kufirin e saj me Bjellorusinë për disa javë në fund të tetorit.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda ka thënë se vendi mund të ngrijë ose konfiskojë asetet bjelloruse në vend, duke pretenduar se Minsku vazhdon të bllokojë kamionët lituanezë që të largohen nga territori i saj.
Balonat e kontrabandistëve kanë ndërprerë vazhdimisht fluturimet në aeroportet lituaneze, kryesisht në Vilnius, në muajt e fundit.






