Liverpool-Tottenham, në “Anfield” luhet një copëz e titullit

Në “Premier League” Manchester City dhe Liverpooli po zhvillojnë një kampionat më vete sa i përket garës për titull e kështu si po shkojnë rezultatet me shumë mundësi skuadra që do të ngrejë lart trofeun do të vendoset në javën e fundit. Citizens kryesojnë me 1 pikë më shumë, pas fitores 0-2 me Fulhamin të shtunën, por “The Reds” mund ta rimarrin që sot vendin e parë nëse kalojnë Tottenhamin, shkruan supersport.al.

Në orën 17:30, në “Anfield”, skuadra e Jurgen Klopp duhet të kalojë një nga pegesat më të forta të mbetura të sezonit (po në “Anfield” pret edhe Chelsea-n në javën e 34-t), me Hotspur që kanë marrë vetëm 1 pikë në katër takimet e fundit dhe rrezikojnë seriozisht të rrëshqasin poshtë zonës Champions.

Liverpooli konsiderohet favorit në këtë sfidë gjigantësh edhe për faktin se ka triumfuar 1-2 edhe në përplajsen e fazës së parë të zhvilluar në “Wembley”.

Në “Anfield” luhet edhe një sfidë brenda sfidës mes dy rivalëve për trofeun individual të golashënuesit më të mirë të Premier Leagues-s: Mohamed Salah përballë Harry Kane. Të dy kanë realizuar nga 17 gola deri në këtë pikë të kampionatit.

Në Spanjë Reali i Madridit ka rastin për të përfituar nga kalendari, teksa do të ndeshet në orën 20:45 në “Santiago Bernabeu” me Huescan e vendit të fundit, ndërkaq sfida më e fortë e Javës së 29-të në “Primera Division” luhet në orën 16:15 në Andaluzi, ku do të mbahet dueli për zonën Champions, Sevilla – Valencia.

Në Francë, në orën 21:00, takimi përmbyllës i Javës së 30-të është Toulouse – Paris SG, ndërsa në Holandë në orën 16:45 është koha për të ndjekur supersfidën Ajax – PSV, ndeshje që do të zhvillohet në “Johan Cruijff Arena” të Amsterdamit dhe që natyrisht pritet të vendosë shumë sa i përket titullit në Eredivisie, pasi tetë javë para fundit kampionët në fuqi kryesojnë me vetëm 5 pikë më tepër se sa ekipi i drejtuar nga Erik ten Hag. Më herët, në orën 14:30, do të luhet takimi Utrecht – Feyenoord. Në Supersport nuk do të mungojnë as sfidat e kampionatit gjerman, që ofron fillimisht në orën 15:30 takimin Hannover – Schalke dhe në orën 18:00 duelin Eintracht – Stuttgart, ndeshje të cilat gjithë të apasionuarit e futbollit gjerman do të kenë mundësi për t’i ndjekur si zakonisht nëpërmjet KanalitEurosport 2.