Liverpooli ka shënuar fitore me rezultat 2-1 në shtëpi ndaj Wolves në kuadër të javës së 18-të në elitën e futbollit anglez.
‘Të Kuqtë’ e nisën ndeshjen fuqishëm dhe që në minutën e 11-të ishin shumë pranë golit, kur Hugo Ekitike depërtoi në zonë dhe goditi fort, por topi u përplas në shtyllën e djathtë të portës.
Presioni i Liverpoolit vazhdoi dhe në minutën e 28-të ishte Alexis Mac Allister që u afrua sërish me golin, por goditja e tij e menjëhershme nga brenda zonës përfundoi sërish në shtyllë.
Epërsia erdhi në minutën e 41-të, kur Ryan Gravenberch përfitoi nga një pasim i saktë në zonë dhe me një finalizim të bukur realizoi për rezultatin 1-0.
Vetëm një minutë më vonë, Liverpooli dyfishoi rezultatin. Hugo Ekitike asistoi bukur për Florian Wirtz, i cili nga brenda zonës goditi saktë për 2-0.
Në pjesën e dytë, Wolves reaguan dhe në minutën e 51-të fillimisht Arokodare rrezikoi seriozisht me kokë, por portieri i Liverpoolit reagoi shkëlqyeshëm.
Nga aksioni pasues, Santiago Bueno përfitoi nga një top i kthyer dhe shënoi nga afërsia për 2-1.
Liverpooli kërkoi ta mbyllte ndeshjen dhe pati disa raste të pastra. Në minutën e 61-të, Florian Wirtz ishte pranë golit të tretë, por goditja e tij përfundoi ngushtë jashtë portës.
Ndërsa në minutën e 65-të, Curtis Jones u ndal nga një pritje brilante e Jose Sa, pas një goditjeje të rrezikshme drejt këndit të poshtëm.
Në fund, pavarësisht përpjekjeve të Wolves, Liverpooli arriti ta ruajë avantazhin dhe të sigurojë tri pikë të vlefshme.








