Liverpooli vazhdon pa humbje

Chelsea dhe Liverpooli kanë barazuar me rezultat 1-1 në ndeshjen derbi të javës së shtatë në Ligën Premier.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte thuajse e barabartë nga të dyja skuadrat, të cilat patën raste të mira, por vendasit bënë diferencën duke gjetur edhe golin.

Pas një rasti të humbur nga Willian (22′), në skenë doli Eden Hazard (25′), i cili shënoi për 1-0 pas një asistimi të mirë të Mateo Kovacic.

Liverpooli pati rast të mirë të barazojë me anë të Mohamed Salah (32′), por egjiptiani gaboi edhe pse arriti të kalojë portierin kundërshtar.

Në pjesën e dytë, përsëri u zhvillua lojë e hapur, e barabartë dhe me shumë raste nga të dyja skuadrat.

Mysafirët provuan me anë të Sadio Mane (59′), ndërsa vendasit me Hazard (64′), por asnjëri nuk arriti të ndryshojë shifrat.

Rastin më të mirë në këtë pjesë e pati ylli shqiptar, Xherdan Shaqiri (70′), por gjilanasi nuk goditi mirë dhe rezultati mbeti i pandryshuar.

Në minutat e mbetur të ndeshjes, Reds u munduan shumë të gjejnë golin e barazimit dhe atë e gjetën në minutën e 89-të me anë të Daniel Sturridge, i cili shënoi një supergol për 1-1 pas asistimit të Shaqirit dhe vulosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes.

Pas këtij barazimi, Chelsea ka 17 pikë në vendin e tretë, ndërsa Liverpooli gjendet në pozitën e dytë me 19 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Blutë e Londrës luajnë në udhëtim te Southamptoni, ndërsa Liverpooli e pret Manchester Cityn. /Telegrafi/