Llapi pret t’i fitojë 2 milionë euro

lir Krasniqi, Muhamet Hyseni dhe Elvir Gashijani pritet të mos jenë pjesë e Llapit në vitin 2024. Tre lojtarët sipas të gjitha gjasave pritet që karrierën ta vazhdojnë në ndonjë klub evropian. Interesimi për këtë treshe të Llapit nuk mungon. Por trajneri Tahir Batatina thotë se synon t’i shesë në klube, ku do të përfitojnë edhe lojtarët, por edhe skuadra e Llapit. Ai thotë se pret t’i fitojnë deri në 2 milionë euro nga shitja e Krasniqit, Hysenit dhe Gashijanit.

“Llapi ka dëshmuar se është ekip që mund të formojë lojtar dhe më pas t’i shesë në klube evropiane. 1.3 milionë euro është e sigurt se Llapi do t’i përfitojë nga shitja e tre lojtarëve në janar. Por verës mund t’i fitojë 2 milionë euro. Interesimi nuk mungon për të tre lojtarët”, ka thënë Batatina për KOHËN.

Ai ka zbuluar disa detaje rreth tre lojtarëve – qendërsulmuesit Hyseni, sulmuesit të krahut, Gashijani dhe mbrojtësit Krasniqi.

“Për Gashijanin nuk kam pranuar ofertën nga Hajduku, sepse duhet të rritet edhe më shumë si lojtar. Pres që Gashijani të shitet për 1 milion euro. Duhet të punoj me të ende taktikisht. Për Hysenin ka interesim nga Gjermania, Belgjika, Kroacia, Astana e Kazakistanit dhe Zvicra. Edhe për Krasniqin ka ofertë nga një klub elitar në Portugali, pastaj nga Rumania. Nuk mund të zbuloj më shumë, pasi jemi dakorduar me menaxherët që pa përfunduar të mos zbulojmë shifra e po ashtu edhe klube. Por të tre do të transferohen në klube ku do të përfitojnë lojtarët dhe Llapi”, është shprehur Batatina.

Të martën gazeta e madhe gjermane “Bild” raportoi se tashmë Greuther Furthi, që synon ngritjen në Bundesligë, ka bërë ofertë për Muhamet Hysenin. Sulmuesi ka shënuar 13 gola në 17 ndeshje për Llapin, ndërsa një gol ka shënuar edhe për Kosovën. Në fakt, Hyseni 22-vjeçar bëri debutim ëndrrash në nëntor të këtij viti. Shënoi golin e barazimit kundër Zvicrës në Basel. Ndeshja pati përfunduar baras, 1:1 dhe u takoi kualifikimeve për “Euro 2024”. Ai luajti edhe ndaj Bjellorusisë. Llapit iu bashkua në verën e këtij viti nga Feronikeli 74, ndërsa ka luajtur edhe për Malishevën dhe shkollën e futbollit “Kurda”. Paraqitje të mirë për Kosovën bëri edhe Ilir Krasniqi. Mbrojtësi 23-vjeçar iu bashkua Llapit në janar të vitit 2021 nga KEK-u, ndërsa ka luajtur edhe për Fushë Kosovën. Për Kosovën ka luajtur pesë ndeshje. Për të rinjtë e Kosovës ka luajtur suksesshëm edhe Gashijani. 17-vjeçari nga Mitrovica ka shënuar një gol në tri paraqitje për Kosovën U17. Ai iu bashkua Llapit në verën e këtij viti nga 2 Korriku. Më herët ka luajtur për Trepçën ’89. Batatina krenohet për punën që ka bërë në vitet e fundit. Ai tregon se nga shitja e disa lojtarëve, Llapi ka fituar 500 mijë euro. Më herët Llapi ka shitur sulmuesin e Shqipërisë, Mirlind Daku. Daku në vitin 2018 ishte transferuar te Hajduku i Splitit. Në verën e vitit 2019 në Kroaci, saktësisht te Slaven Belupo e shiti edhe Festim Alidemën. Hajdin Salihun e transferoi te Lokomotiva e Zagrebit në tetor të vitit 2020, derisa në verën e vitit 2022 Llapi e shiti te Gaziantepi turk, Valmir Veliun. Batatina thotë se puna që ka bërë me vite po sjell frytet e saj.

“E kam dëshmuar me punë që nga shitja e Mirlind Dakut e tutje. I kam promovuar më së shumti lojtarët e rinj. Të gjitha këto shtete po e kërkojnë Muhametin, por jo vetëm atë, edhe disa lojtarë të tjerë”, ka theksuar Batatina.