Shtohet konkurrenca për Zhegrovën

Pas Juventusit e Napolit, edhe një ekip tjetër nga Serie A është futur në garë për shërbimet e Edon Zhegrovës.

“Il Tempo” raporton të hënën se Roma ka shprehur interesim për sulmuesin e krahut, i cili po shkëlqen këtë edicion me fanellën e skuadrës së Lillet.

Mësohet se Roma po e sheh Zhegrovën si përforcim ideal për sulmin dhe tashmë po bën gati ofertën për kartonin e tij.

25-vjeçari pritet të largohet nga Lille këtë verë, ndërsa kartoni i tij vlerësohet 15 milionë euro. Më herët është raportuar se Juventusi tashmë ka bërë ofertë zyrtare për Zhegrovën dhe është favorit për transferimin e tij në fund të edicionit.

Zhegrova ka kontratë me Lillen deri në vitin 2026, ndërsa këtë edicion ka shënuar 12 gola dhe ka bërë 9 asistime në 46 paraqitje në të gjitha garat për ekipin nga Franca.