Londër, grevë urie për Idlibin

Në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, Londër, po mbahet grevë urie për t’u solidarizuar me popullatën në Idlib e cila është shënjestër e bombardimeve të regjimit sirian dhe mbështetësve të tij dhe për të njoftuar botën lidhur me këtë masakër, raporton Anadolu Agency (AA).

Greva e urisë që filloi muajin e kaluar në shumë shtete për të tërhequr vëmendjen në sulmet ndaj civilëve në Idlib, vazhdon edhe në Londër.

Aktivistët të cilët zhvillojnë protesta pranë Zyrës së Kryeministrit, ndryshe e njohur edhe si “numër 10”, kërkojnë nga qeveria britanike që të marrë iniciativë për ndalimin e sulmeve.

Një nga aktivistet siriane, Shaza Abuwiddo në deklaratën e saj për AA, tha se gjysmën e popullsisë së Idlibit e përbëjnë fëmijët, por pavarësisht kësaj regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij gjithmonë e shënjestrojnë qytetin.

Ajo tha se dëshirojnë të tërheqin vëmendjen ndaj kësaj drame me anë të grevës së urisë. “Idlibi është në skaj të krizës humanitare dhe njerëzit duhet të bëjnë diçka”, tha ajo.

“Duhet të ngrihemi në këmbë dhe të bëjmë diçka”

Abuwiddo më tutje duke rikujtuar se si trupi i pajetë i 3-vjeçarit Aylan Kurdi para dy vitesh ishte gjetur në një breg, tha se ajo ngjarje ka tërhequr vëmendjen por se me kalimin e kohës ndjeshmëria ka rënë. “Tashmë shohim fëmijë të vdekur, shtëpitë e të cilëve bombardohen, por vazhdojmë jetën sikurse nuk ka ndodhur asgjë. Kjo nuk është e drejtë. Gjithë së bashku duhet të ngrihemi në këmbë dhe të bëjmë diçka kundër kësaj”, u shpreh Abuwiddo.

Ajo shtoi se në grevën e urisë marrin pjesë mbi 100 persona nga shumë vende, duke treguar se do të vazhdojnë protestat e tyre deri sa të ngrenë zërin ndaj ndodhive në botë.

Në Idlib në muajt e fundit janë vrarë 781 civilë

Popullsia e qendrës së qytetit të Idlibit e cila me migrimin e brendshëm arriti në 4 milionë, në mars të vitit 2015 kaloi nën kontrollin e opozitarëve. Idlibi është në mesin e rajoneve më të shënjestruara nga regjimi.

Mbi 553 mijë civilë janë zhvendosur si pasojë e bombardimeve që nga nënshkrimi i marrëveshjes midis Rusisë dhe Turqisë në shtator të vitit 2018.

Në periudhën nga 26 prilli deri më 27 korrik, sipas Rrjetit Sirian të të Drejtave të Njeriut (SNHR), nga sulmet e regjimit në Idlib janë vrarë 781 civilë nga të cilët 208 fëmijë dhe 140 gra.