Lutja e papranuar është ajo lutje që nuk dëgjohet dhe nuk merret parasysh, sikur të mos jetë bërë fare, pasi qëllimi i dëgjimit të lutjes është përgjigjja dhe pranimi i saj. Me këtë shprehje mund të nënkuptohet edhe kërkimi i mbrojtjes nga mospranimi i lutjes në përgjithësi.
Ai, lutjes së të cilit Allahu nuk i përgjigjet, ka dështuar dhe ka humbur, sepse është larguar nga dera prej së cilës kërkohet e mira dhe vetëm prej saj largohet dëmi. Allahu i Lartësuar është Bujar, Dëgjues dhe i Afërt, si dhe Ai që i përgjigjet lutjes. Prandaj, atij që i privohet kjo, i është privuar çdo e mirë. Allahu na ruajtë!
Transmetohet nga Zejd ibn Erkame (r.a) se ka thënë: “Unë nuk ju them asgjë tjetër përveç asaj që thoshte i Dërguari i Allahut (a.s). Ai thoshte: “O Allah! Kërkoj mbrojtjen Tënde nga paaftësia, përtacia, frika, koprracia, pleqëria e thellë dhe dënimi i varrit. O Allah! Jepi shpirtit tim devotshmërinë e tij dhe pastroje atë, sepse Ti je më i Miri që e pastron atë. Ti je Mbrojtësi dhe Zotëruesi i tij. O Allah! Kërkoj mbrojtjen Tënde nga dija që nuk sjell dobi, nga zemra që nuk përkulet me frikërespekt, nga shpirti që nuk ngopet dhe nga lutja që nuk pranohet”[1]
Shkaku i kërkimit të mbrojtjes nga lutja që nuk pranohet
Shkaku i kërkimit të mbrojtjes nga lutja që nuk pranohet është se Zoti i Lartësuar është Ai që jep dhe ndalon, që zgjeron dhe ngushton, që sjell dëm dhe dobi. Prandaj, kur robi i drejtohet Atij me lutje dhe Ai nuk i përgjigjet lutjes së tij, lutësi ka dështuar dhe ka pësuar humbje, sepse është larguar nga dera prej së cilës kërkohet e mira dhe vetëm nëpërmjet Tij largohet dëmi.
Mospranimi i lutjes është dëshmi se lutësi nuk ka përfituar nga dija dhe vepra e tij, se zemra e tij nuk është përulur me frikërespekt dhe se shpirti i tij nuk është ngopur.
Shkaqet e mospranimit të lutjes
Mospranimi i lutjes ka disa shkaqe, ndër të cilat janë:
1 – Nxitimi për të marrë përgjigjen
2 – Lutja për një mëkat ose për shkëputjen e lidhjeve farefisnore
Allahu i Lartësuar i përgjigjet lutjes së çdokujt që e thërret, pa qenë e drejtë që robi të nxitojë për përgjigjen. Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Robit do t’i pranohet lutja përderisa nuk lutet për një mëkat ose për shkëputjen e lidhjeve farefisnore dhe përderisa nuk nxiton.” (Të pranishmit) I thanë: “O i Dërguari i Allahut, çfarë do të thotë të nxitosh?” Ai tha: “Kur lutësi thotë: “U luta, u luta, por nuk vura re që të më ishte përgjigjur”, pastaj dëshpërohet dhe e lë lutjen.”[2]
Disa dijetarë kanë thënë: Shprehja e tij, “përderisa nuk nxiton”, do të thotë se njeriu mërzitet nga lutja dhe e lë atë, duke u sjellë sikur t’i kishte bërë nder Allahut me lutjen e tij dhe sikur të kishte bërë gjithçka që i takonte për të merituar përgjigjen. Kështu, ai sillet sikur të ishte koprrac ndaj një Zoti Bujar, të Cilin nuk e pengon dot dhënia e përgjigjes, dhënia e Tij nuk pakësohet nga asgjë dhe mëkatet nuk e dëmtojnë Atë.
Disa të tjerë kanë thënë: Robi nxiton vetëm atëherë kur synimi i tij nga lutja është të marrë atë që ka kërkuar. Kur nuk e merr atë që dëshiron, lutja i bëhet e rëndë. Por synimi i robit në lutje duhet të jetë vetë lutja drejtuar Allahut, kërkimi prej Tij dhe shprehja e nevojës ndaj Tij përherë. Ai nuk duhet të largohet nga gjendja e robërisë, nga shenja e nënshtrimit, nga bindja ndaj urdhrit dhe ndalesës dhe nga dorëzimi ndaj Zotit të tij, me përulësi dhe frikërespekt. Allahu i Lartësuar e do këmbënguljen në lutje.
Disa prej të parëve tanë të devotshëm kanë thënë: “Kam më shumë frikë se mos privohem nga lutja, sesa se mos privohem nga përgjigjja e saj.” Kjo sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!”[3]
Pra, Ai ka urdhëruar që njerëzit të luten dhe ka premtuar se do të përgjigjet, e Ai nuk e thyen premtimin.
3 – Shkelja e kushteve të lutjes
Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “O njerëz! Allahu është i Mirë dhe nuk pranon veçse atë që është e mirë. Allahu u ka urdhëruar besimtarëve atë që u ka urdhëruar të dërguarve. Ai ka thënë: “O të dërguar! Hani nga gjërat e mira dhe bëni vepra të mira! Unë jam i Gjithëdijshëm për atë që bëni.” Dhe ka thënë: “O ju që keni besuar! Hani nga gjërat e mira që ju kemi dhënë si furnizim. Pastaj përmendi një burrë që ka bërë një udhëtim të gjatë, i pakrehur dhe i mbuluar nga pluhuri, i cili i zgjat duart drejt qiellit duke thënë: ‘O Zoti im! O Zoti im!’, ndërkohë që ushqimi i tij është haram, pija e tij është haram, veshja e tij është haram dhe është ushqyer me haram. Si mund t’i pranohet lutja e tij?”[4]
Imam Neveviu ka thënë: “Ky hadith është një nga hadithet që përbëjnë themelet e Islamit dhe bazat e dispozitave. Nga këto hadithe kam përmbledhur dyzet hadithe në një vëllim. Hadithi nxit për të shpenzuar nga pasuria e lejuar dhe ndalon shpenzimin nga pasuria e palejuar. Gjithashtu, ai tregon se pija, ushqimi, veshja dhe gjëra të ngjashme duhet të jenë tërësisht të lejuara dhe pa asnjë dyshim. Ai që dëshiron të lutet, duhet t’i kushtojë edhe më shumë rëndësi kësaj çështjeje se të tjerët.”
Ndër kushtet e lutjes: lutja me zemër besimtare dhe të bindur për përgjigjen
Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Lutjuni Allahut duke qenë të bindur se do t’ju përgjigjet dhe dijeni se Allahu nuk i përgjigjet lutjes së një zemre të pavëmendshme dhe të shkujdesur.”[5]
Kuptimi është: Kur luteni, duhet të jeni në një gjendje që ju bën të denjë për përgjigjen e lutjes, duke bërë vepra të mira, duke iu shmangur të këqijave dhe duke respektuar kushtet e lutjes, si prania e zemrës, shfrytëzimi i kohëve të begata dhe i vendeve të nderuara, si dhe përfitimi nga gjendjet e përshtatshme, si sexhdeja dhe të tjera. Në këtë mënyrë, duhet të jeni në një gjendje në të cilën shpresa për përgjigjen të jetë më e fortë sesa frika nga mospranimi.
Ose kuptimi është: lutuni duke qenë të bindur se Allahu, për shkak të bujarisë së Tij të pakufishme, përsosmërisë së fuqisë së Tij dhe dijes së Tij gjithëpërfshirëse, nuk do t’ju zhgënjejë. Kjo bëhet që shpresa të jetë e sinqertë dhe lutja e pastër, sepse, për sa kohë që shpresa e lutësit nuk është e fortë dhe e patundur, lutja e tij nuk është e sinqertë.
Ose kuptimi është: lutuni duke qenë plotësisht të bindur dhe të sigurt për përgjigjen në çastin e lutjes; pra, duke qenë në një gjendje që ju bën të denjë për përgjigjen, me sinqeritet të plotë të qëllimit, me zemër të pranishme, me kryerjen e veprave të mira dhe me shpresë të fortë te i Gjithëmëshirshmi.
Është thënë gjithashtu se kuptimi i shprehjes “të bindur për përgjigjen” është: të keni me vete dritën e bindjes së plotë, derisa perdja të hiqet dhe të çahet për ju dhe lutja të ngrihet e të arrijë te Zoti i saj. Ndërsa Allahu i Lartësuar nuk i kushton rëndësi lutjes së atij, zemra e të cilit është e zhytur në shqetësimet e kësaj bote.
Imam Raziu ka thënë: “Dijetarët janë pajtuar se lutja e bërë me zemër të pavëmendshme nuk ka asnjë ndikim.”
Ndër kushtet e lutjes: vendosmëria në lutje
Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Askush prej jush të mos thotë: “O Allah, më fal, nëse dëshiron! O Allah, më mëshiro, nëse dëshiron!” Por të jetë i vendosur në lutjen e tij, sepse Allahu bën çfarë të dëshirojë dhe askush nuk mund ta detyrojë Atë.”[6]
Dijetarët kanë thënë: “Vendosmëria në kërkesë” nënkupton këmbënguljen dhe forcën në kërkesë, si dhe vendosmërinë pa dobësi në kërkim dhe pa e kushtëzuar atë me vullnetin e Allahut apo me diçka të ngjashme. Është thënë gjithashtu se nënkupton të pasurit mendim të mirë për Allahun e Lartësuar dhe besimin se Ai do t’i përgjigjet lutjes.
Kuptimi i hadithit është se është e pëlqyeshme të kërkohet me vendosmëri dhe e papëlqyeshme që kërkesa të kushtëzohet me vullnetin e Allahut.
Dijetarët kanë thënë se arsyeja e papëlqyeshmërisë së kësaj forme shprehjeje është se përdorimi i shprehjes “nëse dëshiron” ka kuptim vetëm ndaj dikujt mbi të cilin mund të ushtrohet detyrim, ndërsa Allahu i Lartësuar është i pastër nga çdo gjë e tillë. Kjo është edhe domethënia e fjalës së Profetit (a.s) në fund të hadithit: “…dhe askush nuk mund ta detyrojë Atë.”
Është thënë gjithashtu se arsyeja e papëlqyeshmërisë është se kjo shprehje krijon përshtypjen sikur lutësi po tregohet i painteresuar për atë që kërkon dhe për Atë prej të Cilit e kërkon.
Ndër kushtet e lutjes: të mos e kufizosh atë
Ebu Hurejra (r.a) transmeton: “I Dërguari i Allahut (a.s) u ngrit për të falur namazin dhe ne u ngritëm bashkë me të. Gjatë namazit, një beduin tha: “O Allah, më mëshiro mua dhe Muhamedin dhe mos mëshiro askënd tjetër bashkë me ne.” Kur Profeti (a. s) e përfundoi namazin, i tha beduinit: “Ti e ke kufizuar diçka që është e gjerë”, duke nënkuptuar mëshirën e Allahut.”[7]
Ibn Battali ka thënë: Profeti (a.s) e qortoi beduinin dhe nuk e miratoi lutjen e tij vetëm për veten, sepse ai u tregua koprrac ndaj mëshirës së Allahut për krijesat e Tij. Ndërsa Allahu i Lartësuar ka lavdëruar ata që veprojnë në të kundërtën, duke thënë: “Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që kanë besuar para nesh!”[8]
4 – Mosmarrja e masave të nevojshme të përmendura në hadithin e të Dërguarit të Allahut (a.s)
Ebu Musa (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Tre persona i luten Allahut të Plotfuqishëm, por lutja e tyre nuk pranohet: Një burrë, gruaja e të cilit është me karakter të keq, por ai nuk e divorcon; një burrë që ka një borxh ndaj një burri tjetër, por nuk ka marrë dëshmitarë për të; dhe një burrë që ia jep pasurinë e tij një të pamaturi. Ndërsa Allahu i Lartësuar ka thënë: “Mos ua jepni pasurinë tuaj të pamaturve”[9].”[10]
Burrit, gruaja e të cilit ka karakter të keq, nuk i pranohet lutja që ai bën kundër saj, sepse është vetë ai që e vë veten në vuajtje duke vazhduar të jetojë me të.
Po kështu, nuk i pranohet lutja burrit kundër atij që mohon borxhin e tij, nëse ai nuk ka marrë dëshmitarë për këtë borxh, sepse vetë ai ka neglizhuar dhe nuk ka zbatuar atë që Allahu i Lartësuar ka urdhëruar.
E njëjta gjë vlen edhe për atë që ia jep pasurinë e vet të pamaturit, sepse ai vetë e ka shpërdoruar dhe e ka lënë pasurinë e tij pa mbrojtje. Prandaj, ai nuk ka justifikim.
Autor: Sejjid Ahmed Sahlul
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Muslimi.
[2] – Buhariu.
[3] – Sure Gafir: 60.
[4] – Muslimi.
[5] – Tirmidhiu.
[6] – Buhariu dhe Muslimi.
[7] – Buhariu.
[8] – Sure Hashr: 10.
[9] – Sure Nisa: 5.
[10] – Hakimi. Hadithi është Sahih sipas kushteve të Muslimit.








