Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Macron: “BE nuk duhet të varet më nga SHBA”

Macron: “BE nuk duhet të varet më nga SHBA”

Gjatë fjalimit të tij në konferencën vjetore të ambasadorëve në Paris, Presidenti francez Emmanuel Macron u përqëndrua në një sërë çështjesh në lidhje me të ardhmen e Europës, Brexit-it dhe Sirisë.

Presidenti francez ka bërë thirrje për hartimin e një politike të re të sigurisë për BE, të cilën ai tha se nuk duhet të varet më nga Shtetet e Bashkuara sa i përket çështjeve të mbrojtjes.

“Evropa nuk mund të mbështetet më në Shtetet e Bashkuara për sigurinë e saj. Na duhet të garantojmë sigurinë evropiane,” theksoi Emmanuel Macron.

Ai kritikoi “izolacionizmin agresiv” të presidentit amerikan Donald Trump, duke u ankuar për faktin se “partneri me të cilin Europa ndërtoi rendin e ri të multilateralizmit të pasluftës duket se po i kthen shpinën kësaj historie të përbashkët”.

Macron bëri thirrje për marrëdhënie të hapura dhe konstruktive midis Uashingtonit dhe Brukselit, diçka që ai tha se duhet të ndërtohet nga përpjekjet e përbashkëta të të gjithë anëtarëve të BE.

Ai tha se ishte e nevojshme që Franca të ndërtonte “një partneritet strategjik” me Rusinë dhe Turqinë, duke qenë se të dy vendet ishin të rëndësishme për sigurinë kolektive dhe duhej të ishin të lidhura me Evropën.

Macron i bëri thirrje Evropës të nisë një dialog të ri mbi sigurinë kibernetike, armët kimike dhe fushat e tjera të sigurisë, në veçanti me Rusinë.
Ai tha se ishte Franca që duhet të vazhdojë me reformat e BE sepse vendi po “paguan çmimin e disa dekadave të një Evrope që është bërë e butë, e dobësuar dhe nuk ka bërë ndryshime të mjaftueshme”. /MESAZHI/