Sipas një raporti të organizatës ndërkombëtare joqeveritare Save the Children, urisa në Madagaskar pritet të përkeqësohet më vonë këtë vit, ndërsa numri i njerëzve që përballen me nivele krize të pasigurisë ushqimore pritet të rritet me 75 për qind, transmeton Anadolu.
Rreth 502.000 fëmijë nën moshën 5-vjeç ose një në 10 fëmijë në vend, së bashku me 21 mijë gra shtatzëna dhe nëna gjidhënëse, pritet të vuajnë nga kequshqyerja akute gjatë periudhës nga maji i vitit 2026 deri në prill të vitit 2027.
“Kjo përfshin rreth 78.000 fëmijë që pritet të vuajnë nga kequshqyerja e rëndë akute, forma më e rëndë e kequshqyerjes akute që kërkon trajtim urgjent mjekësor”, tha Monitori Global i Urisë, pjesë e Klasifikimit të Integruar të Fazave të Sigurisë Ushqimore (IPC).
Raporti vlerësoi se numri i njerëzve që përballen me nivele krize të urisë nga tetori i këtij viti deri në shkurt të vitit të ardhshëm mund të rritet në 3.72 milionë persona ose rreth 10 për qind e popullsisë, ndërsa gati 426.000 njerëz pritet të përballen me kushte emergjente, më shumë se dyfishi i shifrës aktuale.
“Save the Children po i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të rrisë urgjentisht financimin humanitar për ndihmën ushqimore, shërbimet e ushqyerjes, kujdesin shëndetësor dhe mbështetjen ndaj familjeve vulnerabël për t’u përballur me ndryshimet klimatike, përpara se situata të përkeqësohet gjatë sezonit të mungesave”, tha Tatiana Dasy, përfaqësuese e organizatës në Madagaskar.





