Maduro dhe bashkëshortja e tij nën kujdestarinë e SHBA-së në New York, në pritje të paraqitjes në gjykatë

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro dhe zonja e parë Cilia Flores kanë zbritur nga një avion në New York, pasi u transferuan me forcë nga Venezuela pas një operacioni amerikan në Karakas, transmeton Anadolu.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Maduro u transportua me helikopter nga Baza Ajrore e Gardës Kombëtare Stewart në Newburgh drejt Manhatanit përpara se të dërgohej me automjet në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit në Bruklin.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë Maduron që çalonte dhe bashkëshorten e tij teksa shoqëroheshin nga pjesa e pasme e një automjeti të blinduar nga agjentë federalë të Administratës për Luftën kundër Drogës (DEA), në atë që dukej se ishte qendra e paraburgimit.

Në një video tjetër, e publikuar nga një llogari e rrjeteve sociale të Shtëpisë së Bardhë, Maduro shfaqej duke ecur normalisht, sërish i shoqëruar nga zyrtarë me uniforma të DEA-s.

Pamje të transmetuara nga media amerikane treguan Maduron, të rrethuar nga forca të rendit, teksa mbërrinte në qendrën e paraburgimit, ku ai dhe Flores po mbahen në pritje të procedurave gjyqësore që pritet të nisin javën e ardhshme mbi akuza për “narko-terrorizëm”.

Dje, presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se forcat amerikane kishin marrë Maduron dhe bashkëshorten e tij nga rezidenca e tyre në kryeqytetin Karakas, në kuadër të asaj që ai e përshkroi si sulme në shkallë të gjerë. Trump tha se SHBA-ja do të mbikëqyrë Venezuelën derisa të sigurohet një “tranzicion i sigurt, i rregullt dhe i arsyeshëm”.

Administrata e presidentit Trump ka deklaruar se Maduro dhe bashkëshortja e tij do të përballen me ndjekje penale në një gjykatë federale amerikane në New York. Prokurorët federalë në Distriktin Jugor të New Yorkut dje zbuluan një aktakuzë të re, duke i akuzuar ata për trafikim kokaine drejt SHBA-së, së bashku me krime të tjera.

Kritikët kanë paralajmëruar se operacioni shkel të drejtën ndërkombëtare, anashkalon mbikëqyrjen e Kongresit dhe rrezikon të destabilizojë më tej Venezuelën dhe rajonin më të gjerë.