Malajzia heq vizat për qytetarët e Kosovës

Shteti i Malajzisë ka hequr vizat për qytetarët e Kosovës, kështu ka njoftuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm, i kombinuar me hapjen e ardhshme të Ambasadës së Kosovës në Kuala Lumpur.

“Përpara vizitës time zyrtare në Malajzi javën e ardhshme, u jam thellësisht mirënjohës autoriteteve të Malajzisë për vendimin e tyre për të lejuar lirim nga vizat për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për qëndrime deri në 30 ditë. Ky hap i rëndësishëm, i kombinuar me hapjen e ardhshme të Ambasadës sonë në Kuala Lumpur gjatë vizitës sime javën e ardhshme, është një shenjë e qartë se lidhjet midis dy vendeve tona po forcohen çdo ditë e më shumë”, shkroi Osmani në platformën“X”.

Madje, Osmani ka shprehur mirënjohje të sinqertë ndaj institucioneve të Malajzisë për këtë vendim kuptimplotë.

“Mezi pres të angazhohem me liderët shtetërorë javën e ardhshme ndërsa punojmë së bashku për të thelluar bashkëpunimin tonë dhe për të avancuar interesat e përbashkëta të popullit tonë”, ka shkruar presidentja.