Rregullatori i komunikimeve në Malajzi njoftoi sot se ka ngritur dy padi kundër gjigantit amerikan të teknologjisë Google, duke kërkuar 600 milionë ringitë malajziane (146 milionë dollarë) dëmshpërblim për shkak të pretendimit se kompania nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme ndaj përmbajtjeve të dëmshme në YouTube, transmeton Anadolu.
Komisioni Malajzian i Komunikimeve dhe Multimedias (MCMC) tha se paditë kanë të bëjnë me shkeljen e detyrimeve ligjore dhe kushteve të licencimit. Në secilën padi kërkohen 300 milionë ringitë (73 milionë dollarë). Padia e parë pretendon se Google nuk ka trajtuar në mënyrë të duhur mijëra raste të përmbajtjeve të dëmshme, përfshirë lojërat e fatit në internet, mashtrimet dhe veprimtaritë e tjera mashtruese.
Komisioni tha se nga 1 janari deri më 28 tetor i kishte dërguar YouTube-it 74.703 raportime, prej të cilave 74.569, ose 99,8 për qind, kishin të bënin me lojërat e fatit në internet.
Sipas tij, në 32.781 raste ishte dhënë përgjigje ose përmbajtja ishte hequr brenda 24 orëve ndërsa 4.950 raportime nuk kishin marrë asnjë përgjigje. Komisioni tha se në 1.468 raste u deshën më shumë se 30 ditë për trajtimin e raportimeve ndërsa në 35 raste pritja zgjati mbi 90 ditë.
Padia e dytë pretendon se Google nuk ka parandaluar ripublikimin e përmbajtjeve të paligjshme nga blogeri malajzian Wan Muhammad Azri Wan Deris, i njohur më mirë si Papagomo, pavarësisht një mase të përkohshme gjyqësore të lëshuar më 19 qershor nga Gjykata e Lartë e Kuala Lumpurit.
Komisioni tha se po kërkon dëmshpërblim për të rikuperuar kostot e trajtimit të mbi 50 mijë rasteve të përmbajtjeve të dëmshme dhe për të parandaluar shkelje të ngjashme në të ardhmen. Ai u bëri thirrje platformave të mediave sociale që të respektojnë Ligjin e Malajzisë për Komunikimet dhe Multimedian të vitit 1998 dhe Ligjin për Sigurinë në Internet të vitit 2025, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së përdoruesve, veçanërisht të fëmijëve.







