Manipulimi me statusin e viktimave të dhunuara gjatë luftës: Burrat i paraqitën gratë e tyre si të dhunuara

Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar ka bërë të ditur sot se nga 676 aplikacione për fitimin e statusit të viktimës së dhunimit seksual gjatë luftës, 107 prej tyre janë refuzuar.

Mirëpo, ky numër mund të jetë edhe më i madh ngase Komisioni deri më tani ka shqyrtuar vetëm gjithësej 265 lëndë, shkruan lajmi.net.E kohë më parë, Qeveria kishte vendosur që aplikimi për statusin e viktimës do të bëhet përmes katër organizatave dhe aplikacionet do të mund të dorëzohen edhe nga avokatët apo familjarët e tyre si dhe departamentet për viktimat e luftës nëpër komuna.Qendra për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, Medica Kosova dhe Medica Gjakova ishin ngarkuar nga Qeveria për t’i intervistuar dhe regjistruar aplikacionet e grave nëpër tërë territorin e Kosovës.Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar sot me drejtoreshën e Organizatës “Medica Kosova”, Veprore Shehu.

Shehu ka thënë se organizata e saj nga gjithësej 55 aplikacione të dorëzuara në komision, ka dy refuzime, ndërkaq që dy janë në fazën e ankimimit.“Realisht këto refuzime ma tepër kanë ardhur prej aplikacioneve të zyreve regjionale të DSIDL-ve. Meqenëse ne si organizatë kemi dy refuzime ndërsa dy raste janë në procesin e ankimimit akoma.

Domethënë janë refuzuar katër nga 55 aplikacione të dorëzuara. Ne e kemi të gatshëm edhe një numër të aplikacioneve, e sidomos gjatë kësaj sezone të verës kanë ardhur përfaqësues të sekretarisë, për t’i marrë ato aplikacione, dhe kanë ardhur më rrallë. Siç duket ritmi është ngadalësuar për shkak të numrit të madh të aplikacioneve”, ka treguar Shehu për lajmi.net.Ajo ka treguar edhe për tentim-manipulimet me statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.Madje ajo për lajmi.net ka treguar se si një gjë e tillë është tentuar të bëhet në bashkëpunim me bashkëshortët e grave që pretendonin se ishin viktima.

“I kemi të aprovuara rreth 28 aplikacione, ngaqë aq edhe janë shqyrtuar dhe akoma nuk është shqyrtuar edhe pjesa tjetër e aplikacioneve. Sa i përket anës sonë nuk kemi vërejtje se nuk kemi refuzime. Në anën tjetër kemi pasë tentime me u paraqit në marrëveshje me burrin diku rreth dy raste, mirëpo ne i kemi identifikuar ngase kemi stafin i cili është i profesionalizuar, me qenë në gjendje me i identifiku simptomat edhe menjëherë rastet e reja të cilat paraqiten” , ka shtuar tutje Shehu.Ajo ka sqaruar edhe mënyrën se si bëhet verifikimi i grave ose burrave të cilët pretendojnë se janë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.“Nuk i plotësojmë aplikacionet pa i realizu së paku dy seanca individuale psiko-sociale, me dy qëllime, që gruaja për shkak të mungesës së përkrahjes të jetë në gjendje me u përballë me zbërthimin e ngjarjes që mund të krijojë ritraumatizëm, d.m.th që të jetë më e përgatitur psikologjikisht. Dhe arsyeja e dytë është që stafi që e plotëson aplikacionin të ketë mundësi me i identifiku simptomat, për me e ditë a është rast real i dhunimit apo jo. Realisht edhe gjuha e trupit në këtë rast flet e lërë me simptomat. Domethënë që nuk ka mundësi që gruaja apo burri, që vjen të ne ta mashtrojë stafin përmes përshkrimit të një ngjarje të rrejshme”, ka thënë Shehu.Shehu tregon se shumë gra gjatë kohës së luftës, kanë përjetuar ngjarje traumatike së bashku me një pjesë tjetër të grave. Kjo sipas saj është ndihmesë e madhe që të identifikohen rastet dhe të konfirmohet ajo se çka thuhet.“Përveq asaj është një strukturë gjatë tregimit të ngjarjes, sidomos me gratë që ne kemi më shumë punë, me ato të Deçanit, Gjakovës, ku një pjesë e madhe e grave kanë përjetuar ngjarje traumatike me një pjesë tjetër të grave, dhe ne kemi mundësi me i krahasu gjatë rrëfimit të ngjarjes, datat, vendin dhe përshkrimin e ngjarjes gjatë rrëfimit. Kjo është edhe një plus që neve na ndihmon me e konfirmu se a ka ndodh ajo apo jo. Kemi raste që na kanë ardhë edhe raste nga tjetër komuna. Nga këto 55 aplikacione, katër janë që kanë dëshmuar edhe në tribunalin e Hagës”, sqaron tutje Afrore Shehu.

E përveq femrave dhe grave, në këtë qendër për fitimin e statusit të viktimës së dhunës seksuale kanë aplikuar edhe meshkuj.Shehu tregon se aty janë paraqitur dy raste, ku njëri prej tyre e ka fituar statusin, ndërsa rasti tjetër ende nuk është shqyrtuar.