Në Ministrinë e Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut është shënuar 28 marsi, Dita e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, si dhe përvjetori i anëtarësimit të vendit në NATO para gjashtë vitesh, transmeton Anadolu.
Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, i cili në rrjetet sociale postoi fotografi nga ceremonia e shënimit, theksoi rëndësinë e këtyre datave si simbol i përkushtimit dhe vizionit për zhvillimin dhe modernizimin e Armatës së Maqedonisë së Veriut.
“Me pajisje të reja, investime në kapital njerëzor dhe infrastrukturë, Ushtria Maqedonase po bëhet edhe më e fortë dhe e gatshme të garantojë sigurinë e atdheut”, shkroi Misajllovski.
Ai gjithashtu vlerësoi kontributin e Maqedonisë së Veriut në kuadër të NATO-s, duke theksuar se ushtarët e vendit njihen për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre.
Republika e Maqedonisë së Veriut u bë zyrtarisht anëtarja e 30-të e NATO-s më 27 mars 2020.






